Hapet thirrja për aplikime në Shkollën e Studimeve Politike 2025

E Hene, 23 Dhjetor 2024



Akademia e Studimeve Politike hap thirrjen për aplikime për vitin e ri akademik të programit "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike". Afati për dorëzimin e aplikimeve të kandidatëve të interesuar është 24 janar 2025, ora 15:00. Ndiqni informacionin e mëposhtëm për në shumë detaje mbi kriteret e kërkuara, programin akademik si dhe formatet përkatëse për aplikimin.
Programi     

Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike është një program një vjeçar formimi pasuniversitar i Këshillit të Evropës, i konceptuar si një instrument, i cili mund të ndihmojë liderët e rinj në sektorët e politikës, administratës qendrore dhe vendore, biznesit dhe aktivizimit qytetar, të njohin praktikat e mirëqeverisjes dhe nxitjes së pjesëmarrjes në proçeset e rëndësishme reformuese. Nëpërmjet dialogut dhe mësimit interaktiv, Shkolla do të trajtojë një gamë të gjerë të sfidave në shoqëritë tona, si edhe do të ndihmojë në krijimin e lidhjeve mes brezave të rinj të liderëve brenda dhe jashtë kufijve.   
Temat kryesore të programit përfshijnë: qeverisjen e mirë në nivel qendror dhe lokal, politikat publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, komunikimin politik, udhëheqësinë dhe angazhimin qytetar, njohjen me politikat dhe legjislacionin e BE-së, si dhe integrimin e komuniteteve të nënpërfaqësuara në proceset politike / vendimmarrëse. Në përfundim të programit pjesëmarrësit do të pajisen me një çertifikatë të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe Akademia e Studimeve Politike. Programi do të ketë një kohëzgjatje nga muaji Shkurt - Dhjetor 2025.    


Profili i pjesëmarrësve

Anëtarë të angazhuar të forcave politike, zyrtarë të institucioneve qendrore dhe vendore, të zgjedhurit e këshillave bashkiakë, përfaqësues nga biznesi, media, organizatat joqeveritare. Mosha e lejuar e pjesëmarrësve deri në 40 vjeç. Shkolla synon një balancim gjinor të pjesëmarrësve si dhe një përfaqësim të barabartë të minoriteteve nëse ata plotësojnë kriteret e tjera.


Kriteret e pranimit

Kandidati që kërkon të ndjekë programin "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike" duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:

  • Kandidati preferohet të jetë në një pozicion aktiv publik dëshmuar në angazhime profesionale, çështje me interes shoqëror etj.
  • Të zotërojë gjuhën angleze. Zotërimi në nivel të mirë kërkohet pasi disa module do të zhvillohen në këtë gjuhë.
  • Të shprehë qartë motivimin e pjesëmarrjes në programin "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike" dhe angazhimin politik apo qytetar për të zbatuar njohuritë e fituara në program.
  • Të jetë i rekomanduar nga dy persona, të cilët i njohin aftësitë akademike, profesionale, kërkimore dhe personale të kandidatit.

Dokumentacioni i pranimit:

    -Formular i plotësuar i kërkesës së bashku me një fotografi me format pasaporte;
    -Fotokopje të diplomës dhe kurseve të tjera formuese;
    -Dy letra rekomandimi të firmosura nga rekomanduesi.

Personat e interesuar janë të lutur të shkarkojnë formularin e kërkesës dhe të letrës së rekomandimit në linket që ndodhen në fund të këtij njoftimi. Shkolla ka një tarifë regjistrimi prej 200 Euro (vetëm për të përzgjedhurit). Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve është data 24 janar 2025, ora 15.00.  
Dorëzimi i aplikimeve duhet të bëhet dorazi ose të dërgohet me postë pranë zyrave të Akademisë së Studimeve Politike në adresën: Rruga "Emin Duraku", Pallati Credins, Hyrja 1, kati 7, Ap. 21, Tiranë. Mirëpritet gjithashtu dërgimi i aplikimit në versionin elektronik dhe letrave të rekomandimit të skanuara në cilësi të kënaqshme në emailin: E-mail: info@asp.al   Për çdo pyetje të mëtejshme kontaktoni në: Tel: 04 5629047; E-mail: info@asp.al  


Shkarko formatin e aplikimit dhe modelin e leter rekomandimit