Presidenti Begaj takim me të diplomuarit e rinj të Shkolles Shqiptare të Studimeve Politike
Presidenti i Republikës z. Bajram Begaj zhvilloi një takim me të diplomuarit e rinj të gjeneratës së 19-të të Shkolles Shqiptare të Studimeve Politike. Presidenti i përgëzoi për përfundimin e programit, duke u shprehur se njohuritë e marra në këtë shkollë duhet t’i përdorin nesër si qytetarë aktivë të jetës publike.
Presidenti Begaj evidentoi faktin se vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme të këtij procesi: atë të mbylljes së negociatave, që i hap rrugë anëtarësimit të plotë në BE. “Faza në të cilën ndodhemi kërkon shumë më shumë punë, shumë më shumë angazhim dhe shumë më shumë bashkëpunim për konsolidimin e shtetit ligjor, për të ndërtuar institucionet demokratike, për forcimin e lirive e të drejtave të njeriut, për forcimin e medias dhe për dialog gjithëpërfshirës e konstruktiv”, - theksoi Presidenti Begaj,duke nënvizuar rëndësinë e përmbushjes së ëndrrës dhe aspiratës së kahershme shqiptare për ta bërë Shqipërinë si Evropa.
Një falënderim të veçantë z.Begaj përcolli dhe ndaj Këshillit të Evropës dhe përfaqësueses së tij në Shqipëri, znj. Giulia Re, për mbështetjen e dhënë duke theksuar rëndësinë për forcimin e këtij partneriteti.
Në përshëndetjen e saj znj. Re theksoi rolin e rëndësishëm që luan edukimi për udhëheqësit e rinj për nxitjen e një demokracie të qëndrueshme, tashmë që demokracia është vendosur nën kërcënim nga zhvillimet e fundit. "Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në forcimin e institucioneve të saj dhe në avancimin drejt standardeve evropiane. Por ky proces kërkon njerëz si ju: profesionistë që mendojnë në mënyrë kritike, që mbrojnë interesin publik, që vlerësojnë dialogun dhe që nuk bëjnë kompromis me parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit", theksoi ajo.
Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, Erjon Tase, vlerësoi në fjalën e tij kontributin që ofrojnë pjesëmarrësit e Shkollë, si profesionistë të rinj të edukuar dhe talentuar që kanë zgjedhur të zhvillojnë karrierën e tyre në Shqipëri. Angazhimi i tyre në politikë, pushtetin vendor dhe aktivizimin qytetar, është edhe më i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe ofrimit të shembullit pozitiv për të rinjtë që mendojnë largimin:.
Dy përfaqësues të grupit të diplomuar, gazetarja dhe aktivistja Frida Mavriqi dhe juristi Andrea Mazelliu, përshëndetën në emër të studentëve dhe falenderuan Shkollën dhe ekspertët që u bënë pjesë e programit akademik për mundësinë e dhënë.
Në përfundim të takimit u ndanë dhe diplomat për grupin prej 24 drejtuesish të rinj politikë dhe qytetarë, të cilët i bashkohen nga ky moment rrjetit të mbi 500 alumnëve të Shkollës.