Zhvillohet kursi i parë i Shkollës mbi sistemet zgjedhore dhe komunikimin politik

Kursi i parë kombëtar i Shkollës Shqiptare së Studimeve Politike 2026 me temë "Sistemet zgjedhore dhe komunikimi politik" u zhvillua në datat 08-10 maj në Vlorë. Moduli i parë i kursit u fokusua në prezantimin e sistemeve zgjedhore të zbatuara në Shqipëri dhe problematikat e hasura në zbatimin e tyre. Z. Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore trajtoi gjithashtu pritshmëritë dhe sfidat e reformës aktuale zgjedhore, të bazuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR.

Prezantimi i mëtejshëm i z. Ervis Moçka, kreu i Këshillit të Qarkut Vlorë, solli një qasje praktike të organizimit të fushatës zgjedhore të PS dhe ndërveprimin e përfaqësuesve politikë me qytetarët.

Moduli i dytë i kursit u zhvillua në formatin e një trajnimi praktik mbi komunikimin politik dhe hartimit e mesazheve në fushatat zgjedhore. Z. Neritan Sejamini, ekspert i politikave publike dhe komunikimit prezantoi një analizë kritike mbi strategjitë e komunikimit të partive politike si një faktor i rëndësishëm për fushatat elektorale dhe rezultatet e zgjedhjeve dhe u fokusua me shembuj praktikë ndërkombëtarë dhe fushatat e fundit zgjedhore në vendin tonë.