Shkolla pjesë e Forumit Botëror për Demokraci 2026
Gjenerata e 20-të e Shkollës së Studimeve Politike u bë pjesë e Forumit Botëror për Demokracinë, të organizuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg, nga 2 deri më 4 nëntor 2026. Mesazhi i Forumit, që mblodhi mbi 1,400 pjesëmarrës nga 60 vende, ishte i qartë: pjesëmarrja më e madhe qytetare, institucionet e qëndrueshme dhe fuqizimi i të rinjve janë çelësi i ripërtëritjes demokratike.
Në ditën e dytë të Forumit, pjesëmarrësit e Shkollës së Tiranës dhe asaj të Prishtinës vizituan Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në takimin me z. Darian Pavli, gjyqtar shqiptar pranë kësaj gjykate, u zhvillua një diskutim interaktiv mbi të drejtat e njeriut dhe rolin e këtij institucioni në mbrojtjen e tyre.
Dita e tretë iu dedikua diskutimeve rajonale mes shkollave të studimeve politike nga 16 vende anëtare të Këshillit të Evropës. Në takimin e përbashkët të shkollave shqiptare, malazeze dhe ukrainase, me temë Perspektiva e Integrimit Evropian, pjesëmarrësja Ina Coca prezantoi ecurinë e deritanishme të Shqipërisë në kuadër të kapitujve 23 dhe 24 të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Një tjetër diskutim rajonal mes shkollave të Ballkanit u fokusua te rëndësia e angazhimit të të rinjve në proceset politike, me vëmendje të veçantë ndaj protestave studentore në Serbi dhe Shqipëri.
Forumi shërbeu gjithashtu si momenti përmbyllës i ciklit njëvjeçar të trajnimit mbi mirëqeverisjen dhe demokracinë për pjesëmarrësit e programit Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike 2026.