E Shtune, 17 Janar 2026

Akademia e Studimeve Politike hap thirrjen për aplikime për gjeneratën e 20-të të programit "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike". Afati për aplikimin online të kandidatëve të interesuar është 06 shkurt 2026. Ndiqni informacionin e mëposhtëm për më shumë detaje mbi kriteret e kërkuara, programin akademik si dhe formatet përkatëse për aplikimin.
Programi
Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike është një program një vjeçar formimi pasuniversitar i Këshillit të Evropës, i konceptuar si një instrument në thellimin e njohurive dhe nxitjen e angazhimit të drejtuesve të rinj në sektorët e politikës, administratës qendrore dhe vendore, aktivizimit qytetar dhe medias.
Nëpërmjet diskutimeve me ekspertë të njohur vendas dhe të huaj si dhe mësimit interaktiv, Shkolla do të trajtojë një gamë të gjerë të sfidave në shoqëritë tona dhe do të ndihmojë në krijimin e lidhjeve mes brezave të rinj të liderëve brenda dhe jashtë kufijve.
Temat kryesore të programit përfshijnë: qeverisjen e mirë në nivel qendror dhe lokal, politikat publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, komunikimin politik, udhëheqësinë dhe angazhimin qytetar si dhe njohjen me politikat dhe legjislacionin e BE-së.
Në përfundim të programit pjesëmarrësit do të pajisen me një certifikatë të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe Akademia e Studimeve Politike. Programi do të ketë një kohëzgjatje nga muaji mars - dhjetor 2026.
Profili i pjesëmarrësve
Anëtarë të angazhuar të forcave politike, zyrtarë të institucioneve qendrore dhe vendore, të zgjedhurit e këshillave bashkiakë, përfaqësues nga akademia, media dhe organizatat joqeveritare. Mirëpriten kandidatë të moshës 25-40 vjeç.
Shkolla synon një balancim gjinor të pjesëmarrësve si dhe një përfaqësim të barabartë të minoriteteve, nëse ata plotësojnë kriteret e tjera.
Kriteret e pranimit
Kandidati duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:
- Të jetë në një pozicion aktiv publik, i dëshmuar në angazhime profesionale ose çështje me interes shoqëror.
- Të zotërojë gjuhën angleze në nivel të mirë, pasi disa module do të zhvillohen në këtë gjuhë.
- Të shprehë qartë motivimin e pjesëmarrjes në programin "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike" dhe angazhimin politik apo qytetar për të zbatuar njohuritë e fituara.
- Të jetë i rekomanduar nga dy persona që njohin aftësitë akademike, profesionale, kërkimore dhe personale të kandidatit.
Aplikimi
Aplikimi mund të kryhet nëpërmjet plotësimit të formularit online ne linkun.
Dokumentacioni që nevojitet të përgatitet dhe dërgohet nëpërmjet aplikimit:
- Një fotografi me format pasaporte
- Fotokopje të diplomave dhe kurseve të tjera formuese
- Dy letra rekomandimi të firmosura nga rekomanduesit (preferohet sipas formatit të përcaktuar)
Shkarko modelin e letrës së rekomandimit
Nëse hasen vështirësi në ngarkimin e dokumenteve, ato mund të dërgohen në format elektronik në adresën e emailit: info@asp.al
Shkolla ka një tarifë regjistrimi prej 250 Euro (vetëm për të përzgjedhurit).
Për çdo pyetje të mëtejshme kontaktoni në e-mail: info@asp.al





