Starton gjenerata 2026 e Shkollës së Studimeve Politike

18.03.2026 - Nisi sot rrugëtimin e saj gjenerata e 20-të e programit të Shkollës së Studimeve Politike, programit unik të edukimit të udhëheqësve të rinj të themeluar nga Këshilli i Evropës me synim nxitjen e mirëqeverisjes dhe demokracisë.

Seminari i parë i programit u fokusua në organizimin dhe rolin e partive politike dhe u zhvillua me politologun Afrim Krasniqi. Prezantimi i zhvillimeve politike të tranzicionit demokratik, problematika e demokracisë së brendshme dhe meritokracisë si dhe rekomandimet prioritare për reformën zgjedhore ishin në fokus të diskutimit.

26 pjesëmarrësit  e përzgjedhur nga partitë e ndryshme politike, administratës qendrore dhe vendore, aktivizimit qytetar dhe medias do të vijojmë ciklin një vjeçar të Shkollës duke trajtuar qeverisjen e mirë në nivel qendror dhe lokal, politikat publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, komunikimin politik, udhëheqësinë dhe angazhimin qytetar si dhe njohjen me politikat dhe legjislacionin e BE-së.