Opinion mbi ndryshimet e Kodit Penal që kufizojnë lirinë e shprehjes
05.01.2026 - Në vijim të ftesës së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Shqipërisë, ASP paraqiti zyrtarisht një opinion mbi propozimet për ndryshime në dispozitat e Kodit Penal që kufizojnë lirinë e shprehjes. Propozimet për ndryshime në dispozitat e Kodit Penal që lidhen me lirinë e shprehjes paraqesin shqetësime të rëndësishme për përputhshmërinë e kuadrit ligjor shqiptar me standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Dispozitat aktuale për fyerjen dhe shpifjen, edhe pse nuk parashikojnë më burgim, mbeten penale dhe krijojnë efekt frikësues, duke rrezikuar përdorim selektiv ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve. Kjo bie ndesh me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, ku këto çështje trajtohen në fushën civile.
Në optikën e ASP, vlerësime kryesore renditen:
- Neni 119 (Fyerja): Duhet të shfuqizohet dhe të zëvendësohet me dispozita civile që garantojnë kompensim proporcional, duke mbrojtur veçanërisht debatin publik, median dhe satirën.
- Neni 120 (Shpifja): Duhet të dekriminalizohet dhe të zhvendoset në fushën civile, pasi dënimet penale janë disproporcionale dhe cenojnë lirinë e shprehjes.
- Neni 267 (Informata të rreme që ngjallin panik): Formulimi aktual është i paqartë dhe rrezikon përdorim arbitrar. Duhet kufizuar vetëm në raste të nxitjes së dhunës ose rrezikut real për sigurinë publike.
- Neni 295 (Publikimi i sekreteve shtetërore): Duhet të harmonizohet me standardet e GJEDNJ, duke përfshirë klauzola për interesin publik, mbrojtje për gazetarët investigativë dhe sinjalizuesit, si dhe kërkesën për prova të rrezikut real për sigurinë kombëtare.
- Nenet 119/a dhe 119/b (Gjuhë urrejtjeje): Nuk rekomandohet shfuqizimi i tyre, pasi mbrojtja nga urrejtja online është thelbësore për sigurinë publike dhe cilësinë e demokracisë.
Rekomandohet gjithashtu se ndryshimet e propozuara duhet të synojnë balancimin midis mbrojtjes së reputacionit dhe sigurisë publike, pa cenuar lirinë e shprehjes. Harmonizimi me standardet e GJEDNJ është i domosdoshëm për të garantuar një shoqëri demokratike dhe për të shmangur përdorimin selektiv të ligjit ndaj kritikëve të pushtetit.