E Premte, 14 Nentor 2025

Programi “Edhe unë votoj!” u prezantua në Forumin Botëror për Demokraci 2025, si një nga projektet e Këshillit të Evropës për nxitjen e angazhimit të të rinjve në proceset zgjedhore. Iniciativa u paraqit nga drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, z. Erjon Tase, si pjesë e modeleve në nivel botëror që fuqizojnë të rinjtë për të forcuar institucionet demokratike.
Përvoja e Shqipërisë përmes programit “Edhe unë votoj!” ilustron se si investimi në edukimin qytetar dhe fuqizimi i mësuesve dhe studentëve mund të përkthejë vlerat demokratike në veprim, duke ofruar një model për shtetet e tjera anëtare që kërkojnë të forcojnë pjesëmarrjen e të rinjve në jetën demokratike.
Z. Tase theksoi në fjalën e tij rolin e rëndësishëm që duhet të luajë edukimi në bankat e shkollës për ndërgjegjësimin e të rinjve. “Ne duhet të kthehemi në format bazike të edukimit, por në një mënyrë inovative. Sondazhet me mësues dhe nxënës dëshmuan edhe njëherë se Shkolla ishte burimi kryesor i informacionit për procesin zgjedhor. Ky është një tjetër konfirmim i objektivit të programit për të përfshirë edukimin zgjedhor si pjesë të kurrikulave formale të Shkollave në Shqipëri”, u shpreh ai.
E mbështetur nga Këshilli i Evropës përmes projektit “Forcimi i Integritetit të Zgjedhjeve në Shqipëri”, i financuar nga Republika Federale e Gjermanisë, dhe i zbatuar në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP), iniciativa ka arritur mbi 20,000 maturantë në 335 shkolla të mesme të vendit në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, duke i pajisur votuesit për herë të parë me njohuri dhe përvojë për të marrë pjesë në jetën demokratike.





