Historiku

Akademia e Studimeve Politike (ASP) është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 2009, në kujdesin e Këshillit të Evropës, me synim nxitjen e një brezi të udhëheqësve të rinj politikë dhe shoqërisë civile, të dedikuar për implementimin  modeleve më të mira demokratike të qeverisjes dhe zhvillimit. ASP është struktura përgjegjëse për organizimin në Shqipëri të programit “Shkolla e Studimeve Politike”, dhe si rrjedhoj ajo është pjesë e një rrjeti më të gjerë të shkollave politike të Këshillit të Evropës, të themeluar që prej vitit 1992 me synim trajnimin e brezave të ardhshëm të udhëheqësve politikë ekonomikë, kulturorë dhe socialë në vendet në tranzicion.
 
Aktivitetet e ASP grupohen në dy drejtime kryesore: trajnim dhe rritja e kapaciteteve, si dhe kontributi në proçeset demokratike dhe reformuese në Shqipëri. Trajnimi dhe rritja e kapaciteteve, zbatohet nëpërmjet dy programeve kryesor të saj, të cilat janë:
 
-“Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike (SHSHSP) 
-“Programi i Trajnimit të Administratës Vendore”
 
"Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike" vepron që prej vitit 2007. Fokusi i saj janë politikanët e rinj, administratorët publikë dhe udhëheqësit e shoqërisë civile, të cilët shkëmbejnë eksperiencat dhe njohuritë dhe gjithashtu trajnohen në një numër fushash si: mirë-qeverisja në nivel qëndror dhe vendor, politika publike, komunikimi politik, politikat dhe legjislacionin e Bashkimit Europian si edhe përfshirjen e komuniteteve të nën-përfaqësuara në proçeset politike.
 
"Programi i Trajnimit të Administratës Vendore" ofron trajnim të përshtatur sipas nevojave të të zgjedhurve dhe administratës vendore, me synim rritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet njësive tëqeverisjes vendore. Kryetarë dhe nëpunës të bashkive të ndryshme të vendit, kanë një mundësi që të ulen sëbashku pa dallimet e zakonshme politike dhe gjeografike, për të ndarë së bashku eksperiencat më të mira në zgjidhjen e problematikës së përditshme në punën e  tyre.
 
Pjesëmarrësit në programet e trajnimit dhe rritjes së kapaciteteve të ASP kanë një mundësi unike të familjarizohen me tema dhe çështje si edhe përvoja nga ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Gjithashtu, ata vendosin kontakte të reja të cilat mundësojnë integrimin e tyre në rrjete profesionale në Shqipëri dhe më gjerë. ASP synon arritjen e një balance gjinor të pjesëmarrësve në programet e saj si dhe një përfaqësi të barabartë të minoriteteve etnike dhe fetare kur plotësojnë kriteret e pranimit në programet e saj.

Kontributi i ASP në proçeset demokratike dhe reformuese në Shqipëri përfshin një numër programesh si
 
-“Edukimi dhe ndërgjegjësimi i votuesve për herë të parë mbi zgjedhjet dhe demokracinë”
- “Dialogu publik mbi përdorimin e qëndrueshëm të energjisë”.
- "Akademia Rajonale e Demokracisë"

Këto programe kanë për qëllim ndikimin e drejtpërdrejtë në transformimin e shoqërisë shqiptare dhe integrimin evropian të vendit.