Ceremonia e diplomimit për vitin akademik 2012

E Enjte, 08 Nentor 2012



8 Nëntor 2012 - Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike u dorëzoi sot diplomat 33 pjesëmarrësve të programit të vitit akademik 2012. Në një ceremoni zyrtare ku ishin të pranishëm Presidenti SH.T.Z. Bujar Nishani, Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, Znj. Gabriella Battaini-Dragoni dhe Zv. Ambasadori i Zvicrës, Z. John Ruhoff, u vlerësua suksesi i këtij programi dhe u shpreh vullneti për të vazhduar mbështetjen ndaj kësaj shkolle.

Zv. Ambasadori zviceran Z. John Ruhoff përshëndeti të pranishmit dhe i përgëzoi të sapo-diplomuarit. “Jam i kënaqur që shoh se një traditë shumë e mirë që nisi në 2007 me mbështetjen e Këshillit të Europës po vazhdon”, tha Z. Ruhoff. “Ne e shohim përgatitjen, trajnimin dhe çertifikimin e udhëheqësve, ligjvënësve dhe administratorëve publikë të ardhshëm si një kontribut tjetër thelbësor për përparimin e Shqipërisë”, shtoi Zv. Ambasadori. Ai theksoi se shkolla është një instrument efektiv për formimin e udhëheqjes së ardhshme politike në Shqipëri dhe për përçimin e vlerave të tolerancës, dialogut dhe hapjes.

“Përvoja në Evropën Qendrore dhe Lindore ka treguar se këto Shkolla mund të kontribuojnë në mënyrë domethënëse për forcimin e demokracisë dhe një kulturë më të shëndetshme politike“, tha Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, Zj. Gabriella Battaini-Dragoni. Ajo gjithashtu përgëzoi të diplomuarit dhe deklaroi se tani e tutje ata janë ambasadorë dhe avokatë të parimeve dhe vlerave që promovon Këshilli i Europës.

“Ky diplomim koinçidon me 100 vjetorin e pavarësisë dhe gjithashtu me përfundimin e presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës”, tha Presidenti Nishani. “Kjo është një koinçidencë e këndshme sepse të gjithë këto ngjarje tregojnë në synim tonin, atë të vlerave demokratike dhe integrimit Evropian”, shtoi Presidenti gjatë fjalës drejtuar studentëve.

Në fjalën e tij, Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike Z. Erjon Tase falënderoi Këshillin e Evropës dhe Bashkëpunimin Zviceran për mbështetjen e tyre. “Çdo udhëheqës i sotëm apo i të nesërmes, ka nevojë të mësojë më shumë, të shkëmbejë idetë e tij me të tjerë të ngjashëm dhe në këtë mënyrë të përmirësojë vetveten dhe mënyrën e drejtimit të tij”, tha në fjalën e tij Z. Tase.“Dëshira në rritje vit pas viti për t’u bërë pjesë e programit dhe eksperienca pozitive e deritanishme, na bëjnë të besojmë se ky program është i suksesshëm dhe njëkohësisht i nevojshëm për liderët tanë të ardhshëm“, vazhdoi Z. Tase.

Një nga studentet e diplomuara ndau përvojën e saj dhe përshkroi rrugëtimin përgjatë vitit të studimeve. ”Shkolla ka sfiduar mënyren time të të menduarit, më ka ofruar njohuri të reja dhe ka strukturuar dijet e vjetra” u shpresh një nga të diplomuarit, Suela Lala.  Ngjarja u mbyll me dhënien e diplomave dhe me një pritje.

Ky është brezi i  gjashtë i liderëve të ardhshëm të diplomuar dhe pas këtij momenti, ata do t’i bashkëngjiten rrjetit të rreth 180 alumnëve që kanë përfunduar këtë program dhe kanë vazhduar me sukses karrierën e tyre personale në politikë, administratën publike dhe vendore, biznes, shoqërinë civile dhe botën mediatikeShkolla Shqiptare e Studimeve Politike u ngrit fillimisht nga Këshilli i Evropës dhe aktualisht mbështetet nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri. Mbështetja Zvicerane e mundësoi  Shkollën që të rrisë numrin e kurseve si dhe të përfshijë qeverisjen vendore dhe rajonale si një temë të veçantë.