Kursi i katërt kombëtar "Shqipëria dhe trendet e Integrimit Evropian" - Pogradec 2012

E Premte, 22 Qershor 2012



Për vetë rëndësinë që përbën integrimi evropian për të ardhmen e vendit tonë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit, studimi i këtij procesi zë një vend të rëndësishëm në kurrikulën e Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike. Nën këtë këndvështrim u organizua në Pogradec, më 22-24 qershor, kursi i katërt kombëtar i programit të trajnimit të lidershipit. Kursi ishte i përbërë nga tre nëntema kryesore:

""Moduli i parë kishte si fokus politikën e përvbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe një këndvështrim i detajuar iu dha edhe “pranverës arabe” dhe rolit të diplomacisë të BE-së në zhvillimet demokratike dhe tranzicionin e vendeve të Mesdheut Jugor. i ftuar për të ndarë eksperiencën e tij në këtë modul ishte z Alexis Vahlas, profesor i asociuar në Universitetin e Strasburgut dhe këshilltari politik i komandës së Mbrojtjes Ajrore Franceze dhe Force Operacionet ajrore.

Një ndërhyrje interesante në prezantimin e stadit aktual të integrimit dhe sfidave të Bashkimit Evropian si një entitet sui-generis u zhvillua në këtë kurs nga z. Clive Rumbold, shef i Seksionit Politik, Ekonomik dhe Informacionit në Delegacionin Evropian në Shqipëri. Z. Rumbold gjithashtu iu përgjigj interesimit të pjesëmarrësve, duke shkëmbyer këndvështrimet e tij mbi gjendjen aktuale politike dhe 12 prioritetet që Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë që të marrë statusin e vendit kandidat në BE.

Pjesa e fundit e kursit, i dha mundësinë Znj Grida Duma, Zv.Ministre e Integrimit Evropian dhe Z. Ditmir Bushati, kryetar i komisionit parlamentar të Integrimit Evropian, për të plotësuar cështjen e procesit të integrimit evropian, parë nga aspekti institucional shqiptar. Pjesëmarrësit diskutuan në lidhje me mekanizmin e para-aderimit dhe kërkesat për statusin e kandidatit duke prekur problematika konkrete dhe zgjidhjet e tyre.