E Premte, 25 Maj 2012
Më 25-26 maj u zhvillua në Sarandë kursi i tretë kombëtar i SHSHSP me tematikë “Politikat, qeverisja dhe modelet e zhvillimit për një demokraci të qëndrueshme”. Qëllimi i këtij kursi ishte të krijohej një debat përmes së cilës pjesëmarrësit do të mund analizonin lidhjen midis modeleve të qeverisjes së mirë të aplikuara në politikat e zhvillimit ekonomik dhe demokracisë, në kontekstin e ekonomive të ndërvarura dhe globalizimit.
Në lidhje me konceptin e mirë qeverisjes, z. Bernard Zeneli, drejtues i projektit “Brain gain” në Shqipëri, trajtoi disa aspekte të bazuara në studimet bashkëkohore dhe nxiti debatin e pjesëmarrësve rreth shembujve të qeverisjes së mirë në Shqipëri në lidhje me vetë-qeverisjen në politikat lokale, menaxhimin e mbeturinave të ngurta në zonat rurale etj. Një tjetër modul i kursit u fokusua në Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik Rajonal, duke trajtuar rëndësinë e zhvillimit rajonal si një bazë për një rritje të qëndrueshme ekonomike për të gjithë vendin.
Diskutimet me pjesëmarrësit vijuan me z. Artan Hoxha, drejtor i Institutit të Studimeve Bashkëkohore ISB, mbi ndikimin e reformave rregullatore dhe përmirësimi i klimës së biznesit për zhvillimin e sektorit privat dhe klima e përgjithshme e biznesit në Shqipëri si dhe sfidat e zhvillimit të bazuar mbi parimet e efikasitetit vs demokratike. Ndërsa moduli i katërt i kursit, identifikoi sfidat për administratën publike në nivel qendror dhe vendor në Shqipëri dhe solli në vëmendje problematikën dhe reformat që po merren në aspektin e rritjes profesionale të administratës. Z.Roland Bejko, alumni i shkollës franceze të administratës ENA së bashku me z.Philipe Valeri, këshilltar teknik francez pranë Ministrisë së Brendshme, njohën pjesëmarrësit me këto reforma që po ndërmeren në bashkëpunim me partnerët e huaj.





