E Premte, 18 Maj 2012

Më 18-19 maj Akademia e Studimeve Politike organizoi në bashkëpunim me Institutin e Trajnimit të Administratës Publike (ITAP) kursin e tretë të trajnimit për përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore (NjQV) të Shqipërisë. Kursi u organizua në Durrës dhe u ndoq nga 20 përfaqësuesit e zgjedhur lokalë dhe anëtarëve të administratave vendore të Tiranës, Durrësit, Lezhës, Kamzës, Burrelit, Vau të Dejës, Përmetit, Beratit, Kavajës, Shijakut, Lushnjës, Himarës. Moduli i parë i trajnimit u fokusua tek prezantimi i fondeve të BE-së dhe mundësitë e aplikimit në këto fonde të njësive të qeverisjes vendore.
Moduli i dytë i kursit u përqëndrua tek teknika e shkrimit të një projekt-propozimi - Buxhetimi - Objektivat - Plani i Veprimit për një projekt ndërkombëtar. Ky trajnim u konceptua si një ushtrim praktik për pjesëmarrësit. Ekspertja znj. Jolanda Trebicka nga organizata "Euro Partners Development", shpjegoi të gjitha detajet e menaxhimit të ciklit të projektit. Pjesëmarrësit u ndanë në tri grupe pune dhe secili grup zhvilloi ushtrimin e hartimit dhe menaxhimit të një projekt -propozimi.
Pas përfundimit të kursit, pjesëmarrësve iu ndanë certifikata të lëshuara nga Akademia e Studimeve Politike dhe Instituti i Trajnimit të Administratës Publike. Kursi gjithashtu shërbeu për të krijuar lidhje mes pjesëmarrësve, ekspertëve dhe autoriteteve qendrore dhe kontribuoi në drejtim të lehtësimit të dialogut politik dhe komunikimit mes përfaqësuesve vendore të të dy forcave kryesore politike në Shqipëri.





