E Premte, 09 Dhjetor 2011

Delegacioni i Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore zhvilloi sot një debat me pjesëmarrësit e programit të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike. Eurodeputetët Eduard KUKAN (Kryetar i Delegacionit), Victor BOSTINARU (Zv/Kryetar) dhe anëtarët Tanja FAJON, Stanimir ILCHEV, Michail TREMOPOULOS, diskutuan me pjesëmarrësit e shkollës mbi sfidat e Bashkimit Evropian dhe perspektivën e integrimit të Shqipërisë, në një moment mjaft të rëndësishëm për hapat e mëtejshëm të vendit në këtë rrugë.
Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Z. Ettore Sequi, i cili përshëndeti takimin vlerësoi gjatë këtij takimi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në politikën shqiptare dhe vëmendjen që i kushton kësaj çështjeje Bashkimi Evropian. Zotërinjtë Kukan dhe Boshtinaru përshëndetën të gjithë pjesëmarrësit e Shkollës së Studimeve Politike për interesimin e tyre në trajtimin e sfidave të integrimit evropian dhe së bashku me pjesëtarët e tjerë të grupit të eurodeputetëve iu përgjigjën me mjaft interes pyetjeve të zhvilluara nga pjesëmarrësit e shkollës.
Debati solli një reflektim dhe shkëmbim këndvështrimesh se si sfidat ekonomike aktuale të BE-së do të ndikojnë në zhvillimin e demokracive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu diskutimet u fokusuan edhe në perspektivën e demokracisë shqiptare dhe kapacitetet e saj për të respektuar detyrimet e anëtarësimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian.
Takimi i organizuar në bashkëpunim me Delegacionin e BE në Shqipëri, u mbajt në mjediset e Qendrës së Informimit të BE-së në Tiranë.
Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike u themelua ne mars te vitit 2007. Misioni i Shkollës Shqiptare të Politikës është të forcojë një kulturë modernë politike bazuar në vlerat e përbashkëta të pluralizmit, tolerancës dhe dialogut të hapur, duke inkurajuar kështu zhvillimin e një komuniteti të politikanëve të rinj dhe liderave qytetarë të përkushtuar për zbatimin e modelit demokratik bashkëkohor të qeverisjes.
Programi Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike realizohet me mbështetjen financiare te Zyrës së Kooperaciont Zviceran në Shqipëri.





