E Merkure, 02 Nentor 2011
Beograd - Në datat 17-19 tetor 2011 u zhvillua në Beograd nga shkolla politike serbe, aktiviteti rajonal “Energji-Zhvillim-Demokracia: Formimi i një të ardhmeje të re të Energjisë për Evropën Juglindore". Aktiviteti mblodhi përfaqësuesit e parlamenteve, ministra, drejtues institucionesh, ekspertë, përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile si dhe medias nga i gjithë rajoni, me qëllimin për të shkëmbyer eksperiencën e deritanishme në realizimin e objektivave të vendosura për eficencën e energjisë. “Akademia e Studimeve Politike” bashkëpunoi në përfaqësimin e vendit tonë në këtë konferencë nëpërmjet një delegacioni të rëndësishëm. Pjesë e grupit shqiptar ishin deputetët Jemin Gjana, Selami Xhepa, Mimi Kodheli, Sherefedin Shehu, Ermelinda Meksi, Florion Mima, nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti, ekspertët e energjisë Agim Bregasi dhe Arta Sevrani, kreu i shoqatës së arkitektëve Artan Shkreli, ambjentalisti Xhemal Mato si dhe një grup përfaqësuesish të mediave. Aktiviteti u zhvillua në ambjentet e parlamentit serb dhe u nderua nga shumë krerë të organizmave ndërkombëtare dhe rajonalë.
Z.Jemin Gjana si drejtues i komisionit parlamentar të Punëve Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, u ftua që të parashtronte hapat që po hedh Kuvendi i Shqipërisë në adoptimin e legjislacionit evropian dhe rëndësinë që i kushtohet arritjes së objektivave të vendosura nga BE në sektorin e eficencës së energjisë. Gjithashtu, z.Agim Bregasi, kreu i drejtorisë së energjisë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, shprehu përpara të pranishmëve projektet e vendit tonë për të rritur fuqinë prodhuese të energjisë së rinovueshme dhe diversifikimin e saj.
Deputetët dhe përfaqësuesit e tjerë të institucioneve dhe shoqërisë civile që ndodheshin në Beograd, janë tashmë pjesë e programit shqiptar të projektit "Dialogu Publik për përdorimin e qëndrueshëm të energjisë në Evropën Juglindore". Ky program është një bashkëpunim i organizatës gjermane GIZ dhe rrjetit rajonal të shkollave të studimeve politike, një program i Këshillit të Evropës për trajnimin e liderëve të rinj. Edhe Shqipëria është bërë pjesë e këtij programi, nëpërmjet bashkëpunimit të GIZ Albania dhe "Akademisë së Studimeve Politike". Objektivi i këtij programi është sensibilizimi, nxitja e dialogut dhe krijimi i një klime debati mes ekspertëve dhe vendimmarrësve politikë, për të krijuar terrenin e nevojshëm drejt progresit në arritjen e objektivave të rritjes së efikasitetit të energjisë.
Në të njëjtin program dhe synim, u organizua në 4 tetor 2011 në ambasadën gjermane forumi i parë mbi “Dialogun publik në përdorimin e qëndrueshëm të energjisë në Shqipëri” me përfshirjen e të gjithë faktorëve të mësipërm. Aktivitete të tjera janë parashikuar në një program afatgjatë, me synimin që të ndihmojnë në arritjen e zotimeve të marra nga vendi ynë.





