E Merkure, 11 Qershor 2025

11.06.2025 Grupi i Gjelbër i Kuvendit të Shqipërise zhvilloi sot një mbledhje me fokus prezantimin e raportit vjetor të Sekretariatit të Komunitetit të Transportit si dhe vlerësimin e deputetëve më aktivë për sesionin parlamentar 2024-2025.
Gjatë prezantimit të tij, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, z. Matej Zakonjsek, falenderoi Kuvendin për kthimin e këtij prezantimi në një traditë të përvitshme.
Pjesë e mbledhjes ishte dhe prezantimi i monitorimit të Akademisë së Studimeve Politike mbi aktivizimin dhe nismat e ndërmarra nga deputetet e grupit te gjelbër gjatë periudhes shtator 2024-mars 2025. Deputeti me më shumë aktivizim, pyetje dhe diskutime në legjislacionin e lidhur me sektorët e Agjendës se Gjelbër për këtë periudhë u vlerësua z. Xhelal Mziu.
Në përfundim të mbledhjes, kryetari i Grupit të Gjelbër, z. Arben Pëllumbi shprehu besimin se ky grupim do të vijojë angazhimin e tij edhe në legjislaturën e re me freskimin e anëtarësisë, duke vijuar të nxisë shpejtimin e reformave të nevojshme për zbatimin e Agjendës së Gjelbër të Ballkanit Perëndimor.
Drejtori i ASP, z. Erjon Tase, shprehu falenderimin për z.Pëllumbi për themelimin dhe udhëheqjen e grupimit gjatë tri viteve të para të ekzistencës së tij, duke siguruar bashkëpunimin e nevojshëm nga antarët përtej agjendës ditore politike.
Akademia e Studimeve Politike ka ofruar ekspertizën e saj dhe koordinimin e aktiviteteve rajonale të Grupit të Gjelbër me mbeshtetjen e Qeverise Gjermane dhe Komisionit Evropian, në kuadër të Fondit të Hapur Rajonal për Evropën Juglindore-Energjisë, Transportit dhe Mbrojtjes së Klimës (ORF-ETC), i cili zbatohet bashkërisht nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe Rrjeti i Shkollave të Studimeve Politike në Ballkanin Perëndimor.