E Enjte, 05 Qershor 2025

06.05.2025 – Nxënësit e shkollës së mesme “Sulejman Elezi” në Kamëz u bënë pjesë e forumit të hapur mbi zgjedhjet me ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP) dhe Akademisë së Studimeve Politike (ASP). Disa prej pyetjeve të diskutuara në këtë forum ishin:
- Cili është roli dhe interesi i të rinjve për pjesëmarrje politike?
- Sa dëgjohet dhe përfaqësohet zëri i tyre?
- Sa besojnë të rinjtë tek sistemi përfaqësues dhe integriteti i votës?
Diskutimet e maturantëve me ekspertët Erjon Tase dhe Granit Sokolaj nxitën informimin dhe ndërgjegjësimin për të marrë pjesë dhe ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e 11 majit.
Aktiviteti është pjesë e ciklit të forumeve të organizuara me të rinjtë dhe grupe të ndryshme të shoqërisë civile në qytete të ndryshme të vendit me synim për të nxitur një angazhim më të madh të tyre në reformën zgjedhore, por edhe për të siguruar transparencën e duhur në vendimmarrjen e aktorëve politikë në lidhje me Kodin Zgjedhor.
Më pas, maturantët u bënë pjesë e një ushtrimi simulimi të procesit të votimit me synim praktimin e të gjitha hapave të procesit dhe ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë e votës dhe ushtrimin e kësaj të drejte të fituar.
Bashkëbisedimi u organizua si pjesë e projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme - Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, mbështetur nga Ambasada e Mbretësisë së Vendeve të Ulta përmes programit MATRA.