Zhvillohet kursi i parë i Shkollës mbi fushatat zgjedhore

E Enjte, 29 Maj 2025



Kursi i pare kombëtar i Shkollës Shqiptare së Studimeve Politike 2025 me temë "Sistemet zgjedhore dhe komunikimi politik" u zhvillua në datat 23-25 maj në Vlorë. Moduli i pare i kursit u fokusua në komunikimin politik dhe fushatat elektorale. Z. Neritan Sejamini, ekspert i qeverisjes dhe komunikimit, solli një analizë kritike mbi strategjitë e komunikimit të partive politike, si një factor i rëndësishëm për fushatat elektorale dhe rezultatet e zgjedhjeve.

Sistemet zgjedhore të zbatuara në Shqipëri si dhe rekomandimet për një reform të pritshme zgjedhore u prezantuan nga z. Oerd Bylykbashi, nënkryetari i PD dhe ekspert i reformave të rëndësishme. Diskutimi me Z.Ervis Moçka, kreun e Këshillit të Qarkut Vlorë, solli një qasje praktike të organizimit të fushatës zgjedhore të PS dhe ndërveprimin e përfaqësuesve politikë me qytetarët.

Komunikimi politik dhe mesazhet e fushatës elektorale u trajtuan nga z. Neritan Sejamini, ekspert i qeverisjes dhe komunikimit. Trajnimi paraqiti një analizë kritike mbi strategjitë e komunikimit të partive politike, si një faktor i rëndësishëm për fushatat elektorale dhe rezultatet e zgjedhjeve dhe u fokusua me shembuj praktikë nga fushata e fundit zgjedhore në vendin tone.

Moduli i dytë i kursit, mundësoi një prezantim të politikave të Agjendës së Gjelbër Evropiane dhe objektivat e ndërmarra nga vendi ynë si pjesë e procesit të integrimit evropian. Z.Rodon Miraj, menaxher i GIZ Shqipëri, prezantoi sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e qëndrueshëm të energjisë dhe transportit si pjesë e këtyre detyrimeve për vendin tonë.

Ky modul informues për pjesëmarrësit e Shkollës u mundësua si pjesë e zhvillimit të kapaciteteve të Grupeve Parlamentare të Gjelbëra nga Ballkani Perëndimor, projekt rajonal i mbështetur nga Qeveria Gjermane dhe Komisioni Evropian, në kuadër të Fondit të Hapur Rajonal për Evropën Juglindore-Energjisë, Transportit dhe Mbrojtjes së Klimës (ORF-ETC), i cili zbatohet bashkërisht nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe Rrjeti i Shkollave të Studimeve Politike në Ballkanin Perëndimor.

Pjesëmarrësit zhvilluan gjithashtu një vizitë në muzeun e pavarësisë në Vlorë për të njohur më mirë detajet e këtij momenti të rëndësishëm kombëtar.