Deklaratë për organizimin e votimit elektronik në zgjedhjet për Kuvend 2025

E Shtune, 12 Tetor 2024



Ashtu siç u paralajmërua nga raporti i Akademisë së Studimeve Politike në muajin maj, votimi elektronik nuk do të mundësohet edhe në zgjedhjet e vitit 2025 në kuotën e parashikuar në Kodin Zgjedhor të mbulimit të “jo më pak se 10 përqind të listës së zgjedhësve”.

Mungesa e fondeve të nevojshme nga buxheti i shtetit (KQZ kërkoi 3 herë më shumë buxhet se parashikimi i Ministrisë së Financave) pamundësoi sërish përmirësimin e një standarti të kërkuar nga aktorët politikë dhe qytetarët, si një faktor që mundëson rritjen e besimit në procesin zgjedhor.

Përtej diskutimit për fondet e nevojshme, zbatimi i votimit elektronik në shkallë të gjerë mbetet ende një sfidë për t’u menaxhuar në nivel teknik dhe njerëzor. Në analizën e hartuar në bashkëpunim me Instituti i Studimeve Politike / Institute for Political Studies, prezantohen problematikat e hasura dhe nevoja për rregullime ligjore dhe administrimin e procesit si dhe rekomandime konkrete për të siguruar besimin e duhur në shtrirjen e votimit dhe numërimit elektronik të votës në zgjedhje. Disa rekomandime për hapat që nevojiten të ndërmerren në kuadër të reformës zgjedhore përshtrirjen e votimit elektronik janë:

  • Detyrimi për të plotësuar legjislacionin për elektronikën në zgjedhje
  • Nevoja për efikasitet në administrimin dhe burimet njerëzore
  • Zbatimi i procedurave për sigurinë dhe verifikueshmërinë
  • Aplikimi i zgjidhjeve hibride si një alternativë

Raporti mund të konsultohet në këtë link