Prezantohet me aktorët shtetërore monitorimi për gjuhën e urrejtjes dhe ekstremizmit

E Hene, 15 Korrik 2024



Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Qendrën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, prezantoi në një tryezë me aktorët kryesorë institucionalë dhe ekspertët e sektorit gjetjet e "Monitorimit të elementëve të ekstremizmit të dhunshëm që qarkullojnë në platformat online".

Tryeza u zhvillua në ambjentet e ministrisë së Brendshme dhe mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve kryesore për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit.

Monitorimi u zhvillua në periudhën tetor 2023-mars 2024 dhe ndërthurri për herë të parë analizën njerëzore të rrjetit të Sinjalizuesve të Besuar dhe kërkimin nëpërmjet programeve kompjuterike për të identifikuar përmbajtjen e dëmshme.

Disa prej gjetjeve kryesore të monitorimit janë:
•    Shfaqja për herë të parë e narrativës antisemitike në hapësirën online në shqip pas rinisjes se konfliktit në Gaza;
•    Rritje e gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve online ndaj të miturve dhe grave: denigrim, shantazh dhe përndjekje kibernetike.
•    TikTok: Platforma më problematike për ekspozimin e fëmijëve dhe të rinjve ndaj përmbajtjeve të padëshiruara, ndërsa Youtube për ndarjen e materialeve më përmbajtje ekstremiste.

Rekomandimet e dhëna nga institucionet dhe aktorët e tjerë në këtë event synojnë të ofrojnë një orientim për zhvillimin e politikave përkatëse për bllokimin e përmbajtjeve që nxisin ekstremizmin e dhunshëm në faqet e internetit dhe platformat e mediave sociale.

ASP ofron ekspertizë dhe lehtëson dialogun e palëve të interesuara falë mbështetjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në kuadër të projektit “Fuqizimi i rrjetit të Sinjalizues të besuar për një ekosistem kibernetik të sigurt kundër ekstremizmit të dhunshëm”.