ASP prezanton gjashtë rekomandime konkrete për reformën zgjedhore

E Merkure, 15 Nentor 2023



Akademia e Studimeve Politike prezantoi gjashtë rekomandime konkrete për përmirësimin e kufizimeve të përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje gjatë një takimi të organizuar me anëtaret e komisionit të posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore. Rekomandimet ishin pjesë e raportit të monitorimit të zgjedhjeve të 14 maj 2023, të hartuar në kuadër të projektit “Partneritete të forta për reforma të qëndrueshme - Forcimi i rolit të shoqërisë civile në adresimin e sfidave të zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, të zbatuar në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike (ISP) dhe me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta, Embassy of the Netherlands in Albania përmes programit MATRA.


Pjesëmarrës në takim ishin dhe drejtues të KQZ dhe të institucioneve, përfaqësues të njohur ndërkombëtarë, ekspertë nga shoqëria civile, Kuvendi dhe institucionet e pavarura, etj.

  •  Z. Afrim Krasniqi, drejtues i ISP, parashtroi rëndësinë e reformës zgjedhore, prioritetet dhe drejtimet kryesore për ndërhyrje, duke apeluar për proces parlamentar transparent dhe llogaridhënës.
  •  Z. Reinout Vos, Ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri citoi raport progresin e BE mbi Shqipërinë lidhur me mungesën dhe nevojën e reformës zgjedhore, nxitjen e Kuvendit për ndërveprim dhe rëndësinë e konsultimeve me aktorët civilë në proces.
  •  Znj. Dëshira Pasko, eksperte e ISP, prezantoi çështjet prioritare për ndërhyrje në kuadër të reformës së re zgjedhore si dhe rekomandimet përkatëse.
  •  Znj. Dorina Bërdufi, eksperte e ISP,  prezantoi gjetje e rekomandime kryesore nga sondazhi me qytetarët mbi “Prioritetet e reformës zgjedhore, sjelljen elektorale dhe sfidat e përfaqësimit politik në Shqipëri”.
  •  Z. Erjon Tase, në emër të Akademia e Studimeve Politike prezantoi gjetje dhe rekomandime nga raporti “Mbi zbatimin e kufizimeve të përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhjet vendore 14 maj 2023”.
  •  Znj. Dhurata Çupi Tyli, (PD) zv/kryetare e Komisionit të Ligjeve foli për rolin e parlamentit dhe përgjegjësitë parlamentare që lidhen me integritetin e jetësimit të reformës zgjedhore.
  •  Znj. Blerina Gjylameti, (PS) nga Komisioni i Reformës Zgjedhore paraqiti qëndrimin e mazhorancës lidhur me reformën zgjedhore, ecurinë e procesit dhe pritshmëritë e ardhshme.
  •  Z. Enkelejd  Alibeaj, (PD) nga Komisioni i Reformës Zgjedhore ofroi të dhëna nga ecuria e deritanishme e komisionit, paketa e propozimeve për reformë dhe sfidat për jetësimin e saj.
  •  Z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve foli mbi prioritetet nga këndvështrimi i KQZ dhe rëndësinë e respektimit të afateve kohore për të mundësuar procese të rëndësishme, përfshirë votën e diasporës dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.
  •  Z. Ilirjan Rusmali, KAS / KQZ parashtroi bazat e një reforme zgjedhore të qëndrueshme dhe afatgjatë si dhe mësimet nga përvojat e mëparshme të komisioneve mbi reformën.
  •  Z. Fatmir Mediu, (PR) nga Komisioni i Reformës Zgjedhore parashtroi problematikat kritike të mosfunksionimit të tij dhe pengesat e vullnetit politik për reformë solide dhe përfaqësuese.
  •  Z. Arben Pëllumbi (PS) nga Komisioni i Reformës Zgjedhore konfirmoi qëndrimin e mazhorancës lidhur me vullnetin për jetësimin e rekomandimeve të ODIHR/OSBE-së.
  •  Z. Petrit Vasili, (PL) nga Komisioni i Reformës Zgjedhore kritikoi vonesat dhe pengesat në jetësimin e reformës dhe përgjegjësinë e qeverisë për mungesën e standardeve zgjedhore.
  •  Znj. Gerta Meta, (SHKD) nxiti nevojën e diskutimit nga komisioni i posaçëm dhe Kuvendit të rekomandimeve të ardhura nga aktorët politike dhe shoqëria civile.

Diskutimi në tryezë ishte konstruktiv dhe mesazhi i përgjithshëm ishte nevoja emergjente për reagim të Kuvendit përmes komisionit të posaçëm dhe strukturave të tjera drejtuese për të mundësuar rikthim të normalitetit në dialogun politik e institucional, nisjen e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës për reformën, ndryshime në kohë në legjislacionin zgjedhor dhe të partive politike dhe mbi të gjitha, vullnet të qartë politik dhe qasje strategjike për një reformë sa më të besueshme, afatgjatë dhe funksionale.


Raporti i plotë mund të konsultohet këtu