Hapen aplikimet për “Akademinë e Trajnimit të Autoriteteve Vendore”

E Hene, 30 Shtator 2019



Hapet thirrja për aplikime për pjesëmarrje në Akademinë e Trajnimit për autoritete vendore dhe organizatat e shoqërisë civile. Ky trajnim i ndërtuar në katër kurse, do të targetojë 20 përfaqësues të autoriteteve vendore dhe shoqërisë civile në rajonin Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier dhe Vlorë.
  
                                                                                                                                                                       Kurset e trajnimit do të fokusohen në temat e mëposhtme:
1)    Procesi i integrimit evropian;
2)    Lidershipi për nxitjen e pjesëmarrjes;
3)    Mirëqeverisja në nivel lokal dhe përfshirja;
4)    Mundësitë e bashkëpunimit në nivelin lokal.

Gjithashtu, pjesëmarrësit në Akademinë e Trajnimit do të njihen me shembuj pozitivë nga bashkëpunimi mes aktorëve vendorë gjatë një vizitë studimore në Poloni.  

Lektorët e ftuar në trajnim janë ekspertët më të mirë vendas, të certifikuar nga Këshilli i Evropës, dhe janë zgjedhur me kujdes që të ofrojnë një ndërthurje të mirë të aspekteve teorike dhe praktike të temave të programit.

Akademia e Trajnimit është pjesë e veprimit të projektit “Roli i Shoqërisë Civile në Procesin e Integrimit Evropian në Shqipëri", në kuadrin e IPA II, i zbatuar nga ASP në bashkëpunim me Institutin e Sociologjisë Ndërkombëtare në Gorizia (Itali) dhe Fondacionin në Mbështetje të Demokracisë Lokale (Poloni). Projekti synon të nxisë një dialog të strukturuar ndërmjet autoriteteve vendore dhe organizatave të shoqërisë civile në rajonet e targetuara me qëllim ofrimin e kontributit të përbashkët në procesin e integrimit evropian të vendit. Projekti financohet nga Komisioni Evropian dhe zbatohet nën monitorimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
 
Shprehja e interesit mund të kryhet në adresën elektronike info@asp.al, apo dhe pranë zyrës së Akademisë, duke bashkangjitur një CV, brenda datës 30 tetor 2019, ora 16:00.