E Premte, 27 Prill 2018

Në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua sot një seminar informues për deputetët dhe stafin e komisioneve parlamentarëve me qëllim rritjen e njohurive mbi zhvillimin e qëndrueshëm të energjisë dhe mbrojtjen nga ndryshimet klimatike. Aktiviteti u organizua nga Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Kuvendin me mbështetjen e GIZ dhe me partneritetin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, z. Eduard Shalsi, Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, z. Ulsi Manja, deputetët znj. Eglantina Gjermeni, znj. Tatjana Nurçe, z. Besnik Bare si dhe mbi 25 ekspertë ligjorë dhe këshilltarë të komisioneve parlamentare.
Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, z. Erjon Tase, në fjalën e tij shpjegoi qëllimin e këtij seminari informues, mbi rëndësinë që ka eficenca e energjisë në vendet perëndimore dhe në Shqipëri. “Ky projekt i financuar nga qeveria gjermane nëpërmjet GIZ dhe i zbatuar që prej vitin 2011 prej shkollave politike në rajon, dëshiron të bëjë të qartë se energjia nuk është vetëm një çështje e disa ekspertëve. Vetë strategjia e zgjerimit e BE-së, ka përcaktuar zhvillimin dhe lidhjen energjetike të rajonit si një nga gjashtë kriteret kryesore. Proceset e integrimit të Shqipërisë janë të lidhura jo vetëm me faktorët e stabilitetit politik apo "vettingun", por tashmë është vendosur theksi edhe tek zbatimi i direktivave për energjinë”,- tha z. Tase.
Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, u shpreh në fjalën e tij se Shqipëria ka avancuar pozitivisht në fushën e energjisë elektrike. Z. Shalsi u shpreh se falë ndryshimeve ligjore, Shqipëria mund të konsiderohet pjesë e Bashkimit Evropian përsa i përket bashkëpunimit në fushën e energjisë. “Ne po ratifikojnë ligje dhe në çdo proces jemi të përfshirë në zbatimin e direktivave evropiane. Pra, është një shembull tipik i një përafrimi legjislacioni, por mbi të gjitha i një bashkëpunimi si të jesh pjesë reale e Bashkimit Evropian. Kjo sepse BE nuk mund të funksionojë nga pikëpamja e energjisë në rast se nuk do të jetë i lidhur me Ballkanin Perëndimor”,- tha z. Shalsi. Duke folur për efiçencën energjetike, Kryetari i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese konfimoi se roli i parlamentarëve për nxitjen e politikave dhe mekanizmave kontrolluese, mbetet ende një potencial i pashfrytëzuar dhe duhet të promovohet më tej.
Prezantimet e znj. Entela Çipa, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Efiçencës së Energjisë si dhe ekspertit z. Hysni Laçi, të cilët vunë në dukje sfidat me të cilat përballet sot vendi ynë për zbatimin e detyrimeve që ka marrë në fushën e energjisë.
Aktiviteti vijoi më tej me një vizitë të pjesëmarrësve në ambjentet e kompanisë "EuroElektra", për të parë nga afër një impiant të prodhimit të energjisë fotovoltaike, me një kapacitet 24 kË. Biseda nxorri në pah faktin se investitorët privatë në këtë sektor janë shpesh një hap përpara legjislacionit dhe akteve rregulluese, duke krijuar pengesa dhe dekurajim edhe për inisiativat e ndërmarra privatisht.
Ky seminar është pjesë e projektit “Bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi i kompetencave të parlamentarëve të Evropës Juglindore mbi efiçencën e energjisë dhe çështjet e klimës", i cili zbatohet nga Rrjeti i Shkollave të Studimeve Politike në Europën Juglindore (që operon nën kujdesin e Këshillit të Evropës) me mbështetjen e Qeverisë gjermane nëpërmjet Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ) dhe në partneritet me Komunitetin e Energjisë në Vjenë.
Njoftimi zyrtar i Kuvendit të Shqipërisë në këtë link





