ASP nis programin për edukimin kundër ekstremizmit të dhunshëm

E Premte, 06 Prill 2018



Akademia e Studimeve Politike ka nisur zbatimin e një projekt të ri pilot për edukimin e të rinjve dhe komuniteteve për të qënë të aftë të rezistojnë ndaj ekstremizmit të dhunshëm.  Kjo ndërhyrje bazohet mbi eksperiencën e gjatë në edukimin qytetar të të rinjve në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit si dhe falë ekspertizës më të mirë të ofruar nga partneriteti me Këshillin e Evropës, nën ombrellën e të cilit vepron edhe ASP. Programi zbatohet në kuadër të nëngranteve të projektit “Fuqizimi i Shoqërisë Civile për Rritjen e Reziliencës së të Rinjve ndaj Ekstremizmit të Dhunshëm”, financuar nga Bashkimi Evropian në partneritet me Terre des Hommes Shqipëri, Universitetin Beder, "Institute for Strategic Dialogue" dhe "Centre for Common Ground".

Projekti ka si qëllim ngritjen e një modeli bashkëpunimi mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve për të kuptuar shenjat e para të radikalizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm të të rinjve dhe adresuar këto raste në bashkëpunim mes tyre dhe me aktorë të tjerë të komunitetit (pushteti vendor, policia, drejtuesit fetare, organizatat lokale të të rinjve). Këto struktura komunitare të orientuara pranë shkollave, mund të ndihmojnë gjithashtu në të ardhmen edhe për zgjidhjen e problematika të tjera të të rinjve si përdorimi i drogave, bullizmi etj. Programi planifikohet që të zbatohet në 10 shkolla të mesme, kryesisht në zonën periferike të qarkut Tiranë.

Aktivitetet do të jenë gjithashtu në linjë me misionin e “Shkollave si Qendra Komunitare” si dhe planin e veprimit të Strategjisë Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2015. Për këtë qëllim ASP po koordinon ngushtësisht aktivitetet me Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, të ngritur së fundi pranë institucionit të Kryeministrit.
 
Për më shumë informacion dhe të rejat nga programi klikoni këtu