Zhvillohet trajnimi i parë i Akademisë së Lidershipit

E Shtune, 03 Mars 2018



Trajnimi i pare i "Programit të Akademisë Lidershipit" u mbajt nga 28 shkurt - 2 mars 2018 në hotelin "Bleart", në Durrës, me pjesëmarrjen e 23 kryetarëve të bashkive, përfaqësuesve të zgjedhur në nivel lokal dhe nëpunësve civilë vendor të lartë. Ceremonia e hapjes u përshëndet nga z. Claus Neukirch, Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë dhe z. Erjon Tase, drejtor I Akademisë së Studimeve Politike. Ky program i Qendrës së Ekspertizës së Këshillit të Evropës zbatohet në kontekstin e projektit të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, të titulluar “Forcimi i Strukturave të Qeverisjes Vendore në Shqipëri (Faza III).”
Fokusi kryesor i këtij trajnimi ishte "forcimi i lidershipit personal", duke trajtuar tema të tilla si:
 
•    Parimet e mirëqeverisjes
•    Prezantim mbi konceptet e lidershipit
•    Referimi për matjen e standarteve të Lidershipit
•    Vetëvlerësimi mbi drejtimin
•    Inteligjenca emocionale e liderit
•    Aftësitë komunikuese dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve
•    Drejtimi efektiv i stafit
•    Etika publike dhe integriteti


Kurset kombinuan qasjen teorike me atë praktike dhe zgjidhjet për problemet e përditshme të NJQV-ve. Ushtrimet e shumta në grupe si dhe simulimet me role zgjuan interesin e duhur gjatë tri ditëve të trajnimit.
 
Pjesëmarrësit u përfshinë edhe në aktivitete sociale dhe një vizitë në Muzeun Arkeologjik në Durrës, me qëllim të forcimit të komunikimit dhe lidhjeve mes tyre në periudhën ndërmjet kurseve. Pjesëmarrësit treguan një interes të madh për programin dhe vlerësuan lartë profesionalizmin e ekspertëve të trajnimit (7 shqiptarë + 1 ndërkombëtarë). Trajnimi i ardhshëm i të njëjtit grup të autoriteteve vendore do të mbahet në maj 2018.