Kursi i parë i shkollës mbi sistemet dhe fushatat zgjedhore

E Diele, 11 Mars 2018



Kursi i parë kombëtar i Shkollës Shqiptare së Studimeve Politike u zhvillua në Pogradec nga data 9-11 mars 2018. Ekspertët e ftuar në këtë kurs ndanë me pjesëmarrësit njohuritë dhe eksperiencat më të mira nga praktika vendase dhe ajo botërore.

Z. Jim Arkedis, me mbi 15 vite eksperiencë në fushatat politike amerikane trajtoi në këtë kurs temën e "Komunikimit politik dhe organizimin e fushatave". Një vend të rëndësishëm në këtë trajnim patën edhe diskutimi mbi zgjedhjet e fundit në Shtetet e Bashkuara, të cilat surprizuan me ardhjen në pushtet të presidentit Donald Trump. Me mjaft interes ishte dhe trajnimi i z.Arkedis mbi "Fjalimin Publik" si dhe “Teknikat e debatit publik” ku pjesemarrësit patën mundësinë që të njihen dhe praktikojnë teknikat më bashkëkohore në këtë fushë.

Ndërkohë, “Historiku i sistemeve zgjedhore shqiptare” u trajtuan në kurs nga politikani dhe një nga ekspertët më me eksperiencë në reformat zgjedhore, z. Kastriot Islami. Kjo temë, u plotësua më tej në bashkëbisedimin me bashkëkryetarin e komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, z. Oerd Bylykbashi. Njohja me problematikat e hasura në sisteme të ndryshme zgjedhore dhe ato të sistemit aktual ishin mjaft të vlerësuara nga pjesëmarrësit për të njohur më mirë diskursin aktual të politikës për reformën e synuar zgjedhore. Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë që të diskutojnë me z.Bylykbashi dhe ndajnë mendimet e tyre mbi një tjetër çështje të rëndësishme si ajo e dekriminalizimit.