Akademia prezanton rekomandimet mbi edukimin e votuesve ne prag te reformes zgjedhore

E Enjte, 02 Nentor 2017



Akademia e Studimeve Politike prezantoi rekomandimet e saj në konferencën e zhvilluar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim percaktimin e hapave kryesore që duhet të ndërmerren në kontekstin e një reforme të ardhshme zgjedhore.

Gjetjet e zbatimit të programit të edukimit të votuesve të rinj si dhe rezultatet nga ndërtimi për herë të parë i aplikacionit për telefonat smartphone "Voto 2017", u ndanë me përfaqësues të lartë të KQZ, Këshillit të Evropës, OSBE/ODIHR, Komisionit të Venecias, deputetët antarë të komisionit ad-hoc të reformës zgjedhore, përfaqësues nga partitë politike, shoqëria civile, ekspertë për çështjet zgjedhore dhe organizata ndërkombëtare.

Disa nga rekomandimet kryesore ishin:
  • Edukimi i vazhdueshëm për votuesit, dhe vecanërisht grupet vulnerabël, për të rritur besimin tek vota dhe ndërgjegjësuar ndaj problematikës të shit-blerjes së votës;
  • Ngritja e Qendrës së Trajnimit pranë KQZ si domosdoshmëri për të rritur profesionalizmin e trupës zgjedhore. Rregullime ligjore për të kthyer certifikimin nga kjo qendër si kusht për të qënë komisioner në zgjedhje;
  • Rregullime të nevojshme në Kodin Zgjedhor dhe legjislacion për të përcaktuar më qartë institucionet të cilat duhet të ndjekin ankesat për shkeljen e së drejtës së votimit dhe abuzimet me votën;
  • Përdorimi i teknologjisë, nën shembullin e aplikacionit për telefonat smartphone, për të rritur informimin si dhe ofruar një mundësi të mëtejshme për të raportuar presionet dhe abuzimet me votën.
Këto rekomandime synojnë të përfshihen në veprimtarinë e komisionit ad-hoc të reformës zgjedhore, bazuar edhe mbi raportet monitoruese të OSBE/ODIHR dhe Ansamblese Parlamentare të Këshillit të Evropës. Përfaqësuesit e KQZ dhe Këshilli të Evropës falenderuan në fjalën e tyre dhe vlerësuan punën e bërë nga Akademia për zbatimin e programit të edukimit në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.