Drejtorët e Shkollave nisin organizimin e Forumit Botëror për Demokraci 2017

E Shtune, 03 Qershor 2017



Takimi vjetor i drejtorëve të 21 Shkollave Politike të Këshillit të Evropës u zhvillua më 1-2 qershor 2017 në Ljubjanë, Slloveni më qëllim koordinimin më të mirë mes shkollave si dhe zhvillimin strategjik të këtij rrjeti të rëndësishëm dhe unikal të edukimit elitar dhe forcimit të demokracisë në vendet në tranzicion. Mbledhjen e përshendeti kryetari i parlamentit slloven z. Milan Brglez, i cili vlerësoi shkollat dhe garantoi vullnetin e vendit të tij për të mbështetur hapjen e një shkolle të re politike edhe në Slloveni.

Drejtorët diskutuan gjithashtu mbi organizimin e Forumit të ardhshëm Botëror për Demokracinë në Strazburg, tema e të cilit do të fokusohet tek populizmi si një fenomen që kërkon përgjigjje nga shoqëritë evropiane.

Duke shfrytëzuar këtë mbledhje, drejtorët i drejtuan një notë të re proteste qeverisë të Azerbajxhanit dhe organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, për lirimin nga dënimi i padrejtë politik i z. Ilgar Mammadov, drejtorit të Shkollës së Studimeve Politike azere. Shoqata e shkollave politike, do të vazhdojë të përdorë të gjithe influencën e saj dhe format e protestës deri në lirimin e kolegut të tyre.