Ambasadori zviceran thirrje maturantëve për të votuar

E Merkure, 24 Maj 2017



Ambasadori zviceran në Tiranë, z. Christoph Graf dhe znj. Zamira Gjini, drejtoreshë e Arsimit Parauniversitar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ndoqën nga afër sot ushtrimin e votimit në shkollën e mesme "Asim Vokshi", në Tiranë. Personalitetet ishin ftuar gjithashtu për të drejtuar disa mesazhe sensibilizuese për maturantët e kësaj shkolle të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 25 qershorit.

Ambasadori Graf i ftoi të rinjtë në fjalën e tij që të jenë të ndjekin më vëmendje premtimet politike dhe të votojnë programin dhe kandidatin e duhur në zgjedhjet e ardhshme për Kuvend. "Ne në Zvicër votojmë shpesh dhe unë personalisht kam votuar 3 herë vetëm gjatë këtij viti. Shpresoj që nëpërmjet këtij programi edukues që ne kemi mbështetur së bashku me Këshillin e Evropës, të keni kuptuar se sa e rëndësishme është që të jeni të angazhuar dhe të ushtroni të drejtën e votës. Shfrytëzojeni këtë të drejtë më 25 qershor dhe vendosni vetë për të ardhmen tuaj dhe të vendit", u shpreh z. Graf.

Drejtoresha e arsimit parauniversitar, znj.Gjini theksoi në fjalën e saj vëmendjen e kushtuar programin edukues për votuesit për herë të parë. "Kemi ofruar të gjithë bashkëpunimin e mundshëm për të zbatuar këtë program dhe shikojmë me kënaqësi vit pas viti rezultatet e tij pozitive dhe angazhimin e nxënësve duke praktikuar të drejtën e votimit", u shpreh znj. Gjini.

Pas këtyre mesazheve personalitetet ndoqën prezantimin e katër kandidatëve të nxënësve dhe më pas procesin e votimit për ta. Nëpërmjet këtij ushtrimi, synohet praktimimi i votuesve të rinj me procesin, por edhe informimi i tyre mbi problemet e votimit familjar apo shitblerjes të votës, të cilat dëmtojnë standartet zgjedhore. Nxënësit nxiten gjithashtu që të transmetojnë këto mesazhe ndërgjegjësimi edhe tek familjarët e tyre. Programi “Fushata e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë” mbështetet nga Këshilli i Europës dhe ambasada Zvicerane në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e Sportit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.