Kreu i KiE i ftuar në fushatën edukuese të votuesve për herë të parë

E Hene, 22 Maj 2017



Shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, z. Claus Neukirch ndoqi sot nga afër  ushtrimin e votimit të maturantëve të shkollës së mesme “Ismail Qemali”, në Tiranë,  në kuadër të projektit për edukimin e votuesve të rinj për zgjedhjet e 25 Qershorit. Qëllimi i kësaj vizite ishte jo vetëm vëzhgimi i procesit, por edhe transmetimi i mesazheve sensibilizuese për nxënësit dhe të rinjtë në përgjithësi mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në votim si dhe evitimin e fenomeneve negative që janë shfaqur në zgjedhjet e kaluara.

Z. Neukirch theksoi në fjalën drejtuar të rinjve rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje sepse cdo votë është e vlefshme dhe ndonjëherë rezultati mund të varet edhe nga pak vota. Ai u bëri thirrje gjithashtu maturantëve të pranishëm që të jenë të informuar dhe ndjekin më vëmendje programet e kandidatëve dhe forcave politike në mënyrë që të zgjedhin kandidatët e duhur për ta dhe vendin.

Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, z. Erjon Tase, falenderoi në fjalën e tij financuesit e këtij programi Këshillin e Evropës dhe ambasadën zvicerane si dhe Ministrinë e Arsimit e Sportit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për bashkëpunimin e afruar. “Përtej të drejtës së votës, duhet të jeni të gjithë të vëmendshëm për të evituar shkeljet apo abuzimet që mund t’ju propozohen. Shpresojmë që ju si të rinj të ndikoni edhe tek familjarët tuaj për të mos shitur apo deleguar votën”, u shpreh z. Tase.

Më pas, personalitet ndoqën simulimin e një procesi votimi në ambjentet e shkollës. Nxënësit votuan për tre kandidatë nga vetë klasat e tyre dhe morën role përkatëse si komisioner, vëzhgues etj. Nëpërmjet këtij ushtrimi synohet praktimi i tyre me procedurën e votimit duke evituar ngatërresat apo këshillimin e tyre të gabuar ditën e zgjedhjeve, momente të cilat sjellin pavlefshmërinë e votës së tyre apo edhe konflikte mes komisionerëve të forcave të ndryshme politike. Programi “Fushata e ndërgjegjësimit të votuesve për herë të parë” zbatohet nga Akademia e Studimeve Politike falë kontributit të Këshilli të Europës dhe ambasadës Zvicerane dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e Sportit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Për detaje të tjera dhe foto nga aktivitetet mund të ndiqni faqen e programit www.zgjedhjet.asp.al