Zhvillohet kursi i dytë i shkollës mbi lidershipin dhe përfaqësimin politik

E Hene, 10 Prill 2017



Kursi i dytë kombëtar i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike me temë “Lidershipi dhe përfaqësimi politik”, u zhvillua në datat 7-9 Prill 2017 në Gjirokastër. Nëpërmjet ekspertizës më të mirë të sjellë nga ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë të fushës si dhe diskutimeve të hapura, pjesëmarrësit e programit patën mundësinë që të thellojnë njohuritë dhe trajnohen mbi aspekte të rëndësishme të karrierës së tyre.
Moduli i parë i kursit u zhvillua në formën e një trajnimi intensiv mbi lidershipin, me synimin për të zhvilluar baza të reja konceptuale mbi udhëheqjen demokratike dhe efektive. Znj. Ina Gjikondi, drejtoreshë e Qendrës së Trajnimit në universitetin "George Washington" në SHBA dhe  Znj. Eldisa Zhebo, drejtoreshë e Institutit për Ndryshim dhe Lidership, zhvilluan një seri teknikash bashkëkohore teorike dhe ushtrimesh praktike, nëpërmjet të cilave pjesëmarrësit punuan për përmirësimin e aftësive të tyre drejtuese me objektiv fuqizimin e kapaciteteve individuale dhe ato në ekip. Ky trajnim 1.5 ditor është i certifikuar sipas metodologjisë së universitetit “George Washington”, në kurset që zhvillohen në SHBA për punonjësit e institucioneve të rëndësishme publike.

Tematika e lidershipit u plotësua më tej në pjesën e dytë të këtij moduli me sesionin titulluar "Menaxhimi i ekipit dhe rritja e organizatës", nën drejtimin e Z. Indrit Puteci, drejtor i "Value the Person Albania" dhe njëkohësisht alumni i Shkollës. Shpjegimi i teknikave për krijimin e sistemeve dhe procedurave të menaxhimit të njerëzve dhe biznesit u vlerësuan si një risi nga pjesëmarrësit dhe krijuan interesin e duhur përgjatë trajnimit.

Moduli i dytë i kursit u soll në formën e një bashkëbisedimi me z. Ermal Hasimja, studiues dhe lektor pranë Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë, mbi temën e “Falsiteteve logjike në diskursin politik”. Nëpërmjet shembujve praktikë nga politika shqiptare dhe ajo botërore, u trajtua në një qasje kritike modeli klasik i përfaqësimit politik në demokracitë moderne.

Kursi shërbeu njëherazi edhe si një mundës e mëtejshme për t’u njohur me qytetin e gurtë të Gjirokastrës, nëpërmjet vizitave të organizuara në shtëpitë karakteristike.