ASP realizon sondazhin per edukimin zgjedhor

E Hene, 20 Shkurt 2017



Akademia e Studimeve Politike po realizon javët e fundit një sondazh me qëllim identifikimin e nevojave specifike për informim dhe edukim zgjedhor të votuesve. Studimi po realizohet në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prezencën e OSBE në Tiranë falë kontributit të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
 
Studimi është shtrirë në qarqet Tiranë, Shkodër, Fier dhe Gjirokastër dhe ka për qëllim të realizojë rreth 1.200 intervista me përfaqësues të grupeve të tilla si të zgjedhur vendorë (kryetarë dhe këshilltarë bashkiakë),  vëzhgues vendorë, gra, të rinj, minoritete dhe persona me aftësi ndryshe. Informacionet e mbledhura përmes intervistave do të analizohen në një studim të posaçëm dhe do të shërbejnë për të ndërtuar strategjinë e informimit dhe edukimit mbi zgjedhjet në vendin tonë.

Falë eksperiencës së krijuar në zbatimin e programeve edukuese për të rinjtë si dhe angazhimit të alumnëve dhe bashkëpunëtorëve të besuar në zonat e zbatimit të sondazhit, është arritur deri më tani që të përmbushet kjo detyrë e rëndësishme.  Rezultatet e këtij studimi do të prezantohen në javët në vijim.