Zhvillohet kursi i dytë i trajnimit për njësitë vendore

E Shtune, 10 Dhjetor 2016



Kursi i dytë i trajnimit drejtuar stafeve politike të njësive të qeverisjes vendore u zhvillua më 9-10 dhjetor 2016 në Durrës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive Lezhë, Kurbin, Mirditë, Dibër, Mat, Bulqizë, Klos, Fier, Patos, Roskovec, Lushnjë, Divjakë, Mallakastër. Programi i ditës së parë të kursit u fokusua tek sfidat që ka sjellë zbatimi i reformës administrative-territoriale për njësitë vendore. Z. Fatlum Nurja, ekspert i decentralizimit, projekti PLGP/USAID prezantoi funksionet e reja të ligjit të pushtetit vendor si dhe risitë që sjell legjislacioni për financat vendore. Diskutimet dhe shembujt konkretë nga praktika, ngjallën debat tek pjesëmarrësit, të cilët vinin nga bashki të ndryshme, por ndajnë të njëjtat probleme. Moduli i dytë i kësaj dite u fokusua tek planifikimi strategjik vendor si një kusht për zhvillimin e qëndrueshëm të njësive vendore. Ekspertiza më e mirë vendase dhe ajo e huaj, ishin në thelb të prezantimeve dhe diskutimeve të këtij moduli.

Dita e dytë e kursit trajtoi temën e fondeve të Bashkimit Evropian dhe mundësitë e tjera për financime vendore. Znj.Greta Gjonçaj, menaxhere programesh pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), ofroi një trajtim të detajuar të fondeve të mundshme për njësitë vendore përtej fondeve që mund të sigurojnë nga buxheti publik apo taksat vendore. Qasja e trajnimit ishte mjaft praktike me synim informimin për progamet evropiane, por edhe gjetjen e partnerëve të mundshëm në institucionet publike, njësitë e tjera vendore apo edhe organizatat jofitimprurëse.
Eksperti i marrëdhënieve publike, Z. Alban Bala, trajtoi në modulin e fundit procesin e konsultimit dhe nxitjen e pjesëmarrjes publike në vendimmarrjen vendore. Teknikat më të mira të komunikimit të huaja dhe vendase, nxitën aktivizimin e pjesëmarrësve në krijimin e fushatave konsultuese me shembuj nga praktika e tyre e përditshme.

Në përfundim të kursit, pjesëmarrësit u pajisën me një çertifikatë trajnimi të regjistruar në databazën e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike. Sipas kërkesës së vetë pjesëmarrësve, iu transmetuan atyre të gjitha materialet e trajtuara nga ekspertët.