Alumnët diskutim me drejtuesen e parlamentit zviceran

E Premte, 18 Nentor 2016



Disa zhvillime të fundit kanë intensifikuar shqetësimin mbi shëndetin dhe të ardhmen e demokracisë në Botë. Strategjitë për të luftuar Shtetin Islamik, si dhe politikat e azilit, përgatitjet për daljen e Britanisë nga BE dhe një prirje drejt autoritarizmit në Hungari dhe Poloni, kanë përforcuar perceptimin e një Evropë të ndarë. Ndërkohë, zgjedhja e Donald Trump ka tronditur themelet e politikës në SHBA. Një nga arsyet për këto trende negative mund të shpjegohet si rezultat i "dështimit të elitave dhe institucioneve për të qënë pranë njerëzve", ashtu si presidenti Obama theksoi në fjalimin e tij të fundit në Athinë.

Nga ana tjetër, Zvicra, me demokracinë e saj të drejtpërdrejtë, ka evoluar politikisht në një "rast të veçantë" dhe mund të konsiderohet e imunizuar ndaj këtyre kërcënimeve të reja të demokracisë. Njohja e këtij modeli unik zviceran të demokracisë së drejtpërdrejtë ishte tema kryesore e diskutimit të alumnëve të Shkollës me znj. Christa Markwalder, kreun e Parlamentit të Zvicrës, të zhvilluar në ambientet e Qendrës për Hapjen dhe Dialog. Znj Markwalder vlerësoi nivelin e lartë të diskutimit dhe theksoi si shumë të rëndësishëm edukimin e programit të Shkollës, veçanërisht në këto momente kur ne kemi nevojë për një udhëheqje politike.

Takimet dhe shkëmbimi i pikëpamjeve me vendimmarrësit e lartë mbi çështjet aktuale të politikë-bërjes përbëjnë një pjesë të rëndësishme të programit të Shkollës. Këto takime janë pjesë e përpjekjeve më të gjera për të lehtësuar diskutimet ndërmjet grupeve të ndryshme për çështje me rëndësi publike.