E Diele, 30 Tetor 2016

Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), nisi ciklin e ri të trajnimeve për Njësitë e Qeverisjes Vendore. Kursi i parë u zhvillua më 28-29 tetor 2016 në Durrës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive Shkodër, Vau Dejës, Pukë, Fushë Arrëz, Malësia Madhe, Korcë, Maliq, Pogradec, Devoll, Pustec dhe Prrenjas, duke patur si qëllim uljen së bashku të autoriteteve të bashkive me ngjyra të ndryshme politike dhe pozicion gjeografik, të cilat ndajnë të njëjtat sfida dhe problematika. Programi financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në kuadër të mbështëtjes së saj për reformat e demokratizimit të pushtetit vendor.
Trajnimi synoi të rriste njohuritë e stafeve politike të bashkive (kryetarë, nënkryetarët, anëtarë të kabinetit të kryetarit apo administratorët kryesorë), duke plotësuar testimet që zhvillohen nga ASPA për vlerësimin periodik për përfitimin e njohurive shtesë të stafit të NJQV me statusin e nëpunësit civil.
Programi i ditës së parë të kursit u fokusua tek kompetencat dhe detyrimet e bashkive të reja në funksion të ligjit për pushtetin vendor si dhe planifikimin e zhvillimit lokal dhe rajonal. Z. Enea Hoti, këshilltar pranë Ministrit të Çështjeve vendore, shpjegoi për pjesëmarrësit funksionet e tyre të reja në vitin e parë të zbatimit të reformës administrativo-territoriale. Diskutimet u fokusuan gjithashtu edhe tek risitë që sjell projektligji për financat vendore, i cili pritet të mbështesë më tej këto funksione të reja të bashkive. Moduli i dytë i trajnimit shpjegoi teknikat e përgatitjes së politikave publike dhe planeve operacionale vendore si një mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm të bashkive dhe rajoneve.
Ndërkohë, dita e dytë e kursit trajtoi temën e fondeve të Bashkimit Evropian dhe mundësitë e tjera për financime vendore. Znj.Greta Gjonçaj, menaxhere programesh pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, solli një trajtim të detajuar të fondeve të mundshme për njësitë vendore përtej fondeve që mund të sigurojnë nga buxheti publik apo taksat vendore. Qasja e trajnimit ishte mjaft praktike me synim informimin për progamet evropiane, por edhe gjetjen e partnerëve të mundshëm në institucionet publike, njësitë e tjera vendore apo edhe organizatat jofitimprurëse. Eksperti i marrëdhënieve publike, Z. Alban Bala, trajtoi në modulin e fundit procesin e konsultimit dhe nxitjen e pjesëmarrjes publike në vendimmarrjen vendore. Teknikat më të mira të komunikimit të huaja dhe vendase, nxitën aktivizimin e pjesëmarrësve në krijimin e fushatave konsultuese me shembuj nga praktika e tyre e përditshme.
Në përfundim të kursit, pjesëmarrësit u pajisën me një çertifikatë trajnimi të regjistruar në databazën e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike. Sipas kërkesës së vetë pjesëmarrësve, iu transmetuan atyre të gjitha materialet e trajtuara nga ekspertët. Kurset e ardhshme do të vazhdojnë me trajnimin e stafeve të bashkive të tjera duke synuar rritjen e njohurive të mbi 120 punonjësve të njësive vendore.





