ASP e ftuar në Komunitetin e Energjisë

E Marte, 21 Qershor 2016



Akademia e Studimeve Politike ishte një nga organizatat që morri pjesë në ditën e parë të hapur për shoqërinë civile të Komunitetit të Energjisë, e zhvilluar më 21 qershor në Vjenë. Qëllimi i këtij takimi, i cili mblodhi 24 organizata nga 11 vende të ndryshme, ishte rritja e transparencës dhe krijimi i një dialogu të hapur me shoqërinë civile mbi çështjet e energjisë dhe mjedisit. Nën mbështetjen e GIZ, ASP është përfshirë së bashku me Shkollat Politike të rajonit në procesin e diskutimit të legjislacioni për eficencën e energjisë si dhe krijimin e një terreni të përshtatshëm më të gjithë aktorët e shoqërisë për zbatimin e masave dhe detyrimeve që rrjedhin nga ky legjislacion.

Kreu i Komunitetit të Energjisë, z. Jonez Kopac, vlerësoi rolin e shkollave dhe organizatave të tjera prezente në dialogun mes aktorëve të ndryshëm të shoqërisë dhe angazhimin e publikut të gjerë në vendet respektive duke krijuar një presion pozitiv ndaj ligjvënësve dhe vendimmarrësve politikë.

Pjesëmarrësit e shoqërisë civile theksuan nevojën për të siguruar pjesëmarrje më të madhe publike në punën e Komunitetit të Energjisë, si dhe në proceset kombëtare të reformave të energjisë. Dita e hapur me shoqërinë civile synon që të kthehet në një takim të përvitshëm të organizuar nga Komuniteti i Energjisë me qendër në Vjenë.