Zhvillohet kursi i tretë i Shkolles mbi integrimin evropian

E Hene, 16 Maj 2016



Kursi i tretë kombëtar i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike u zhvillua në Durrës nga datat 13-15 Maj 2016. Tematika "Shqipëria dhe integrimi evropian" u trajtua nga lektorë dhe ekspertë të mirënjohur si kryetarja e komisionit parlamentar të Integrimit, znj. Majlinda Bregu; eksperti dhe ish-zv.ministri i Integrimit z. Gentian Elezi; presidenti i UET, z. Adrian Civici si dhe lektori i Universitetit të Strazburgut si dhe këshilltari i Komandës Ajrore Franceze, z. Alexis Vahlas.

Modulet me znj. Bregu si dhe z. Elezi, prezantuan rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe mekanizmin e para-aderimi;t, së bashku me hapat e mëtëjshëm për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian.

Prezantimi i ekspertit të ekonomisë, z. Adrian Civici, u fokusua tek nevoja për një model të ri zhvillimi ekonomik për të patur një ekonomi konkurruese me ekonomitë e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian. Tashmë ka ardhur momenti që kësaj pikëpyetjeje t’i jepet një përgjigje e qartë jo vetëm nga politika, por edhe nga ekspertët dhe të gjitha grupet e interesit.

Eksperti ndërkombëtar i sigurisë, z. Alexis Vahlas u ftua në këtë kurs me synim për të trajtuar sfidat e reja me të cilat po përballet BE: radikalizimi islamik dhe valët e emigracionit nga Afrika Veriore. Diskutimi me pjesëmarrësit krijoi një vështrim më të qartë të problematikave të brendshme të BE-së si dhe masat e mundshme për të përballuar këto rreziqe të reja.