Zhvillohet kursi i dytë i shkollës mbi lidershipin dhe angazhimin publik

E Hene, 25 Prill 2016



Kursi i dytë kombëtar i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike me temë “Lidershipi dhe angazhimi publik”, u zhvillua në datat 22-24 Prill 2016 në Gjirokastër. Nëpërmjet ekspertizës më të mirë të sjellë nga ekspertët e fushës si dhe diskutimeve të hapura, pjesëmarrësit e programit patën mundësinë që të thellojnë njohuritë dhe trajnohen mbi aspekte të rëndësishme të karrierës së tyre.

Moduli i parë i kursit u fokusua tek “Procesi i konsultimit publik dhe lobimi”, jo vetëm si një detyrim ligjor për vendimmarrjen, por edhe si një aspekt i rëndësishëm për përfshirjen e publikut dhe evitimit të konflikteve me qytetarët. Z. Alban Bala, ekspert i PR si dhe themelues i Institutit për Marrëdhënie Publike, transmetoi udhëzime konkrete përsa i përket teknikave të komunikimit dhe angazhimit të qytetarëve në kauza të ndryshme politike, biznesi dhe sociale.
 
Moduli i dytë, u soll në formën e një bashkëbisedimi me z. Ermal Hasimja, studiues dhe lektor pranë Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë, mbi temën e “Falsiteteve logjike në diskursin politik”. Nëpërmjet shembujve praktikë nga politika shqiptare dhe ajo botërore, u trajtua në një qasje kritike modeli klasik i përfaqësimit politik në demokracitë moderne.

Pjesa e tretë e kursit u zhvillua në formën e një trajnimi intensiv mbi lidershipin, me synimin për të zhvilluar baza të reja konceptuale mbi lidershipin demokratik efektiv. Znj. Eldisa Zhebo, drejtoreshë e Institutit për Ndryshim dhe Lidership, zhvilloi një seri teknikash bashkëkohore teorike dhe ushtrimesh praktike, nëpërmjet të cilave pjesëmarrësit punuan për përmirësimin e aftësive të tyre drejtuese me objektiv fuqizimin e kapaciteteve individuale dhe ato në ekip. Ky trajnim 1.5 ditor është i certifikuar sipas metodologjisë së universitetit “George Washington”, në kurset që zhvillohen në SHBA për punonjësit e institucioneve të rëndësishme publike.

Kursi shërbeu njëherazi edhe si një mundës e mëtejshme për t’u njohur me qytetin e gurtë të Gjirokastrës, nëpërmjet vizitave të organizuara në shtëpitë karakteristike.