ASP e angazhuar për reformën zgjedhore

E Premte, 18 Mars 2016



Akademia e Studimeve Politike synon të jetë pjesë e ekspertizës profesionale në procesin e reformës së pritshme zgjedhore. Ky angazhim u bë i ditur gjatë seminarit të organizuar sot në Tiranë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Qendra për Perspektivë Evropiane (CEP). Përfaqësues të partive politike, ekspertë të zgjedhjeve, përfaqësues të organizatave që kanë monitoruar dhe raportuar për proceset zgjedhore, përmes diskutimeve të tyre dhanë ide dhe propozime për gjetjen e mekanizmave për forcimin e pavarësisë së administratës zgjedhore.

ASP ishte prezente në këtë aktivitet si një nga organizatat që kontribuon në vazhdimësi për edukimin e zgjedhësve të rinj në fushatat zgjedhore në Shqipëri. Drejtori  i Akademisë, z. Erjon Tase, solli në vëmendje eksperiencën pozitive të ndjekur nga komisioni parlamentar për Reformën në Drejtësi, si një shembull konkret se si mund të përshihen ekspertët dhe grupet e interesit në reformën zgjedhore. Bashkëkryetari i Komisionit të Parlamentar për Reformën Zgjedhore, z. Oerd Bylykbashi, i pranishëm në këtë aktivitet, e mirëpriti këtë propozim dhe u zotua se komisioni do të tentojë të gjitha mjetet e mundshme për të siguruar transparencën dhe gjithëpërshirjen e ekspertëve gjatë punimeve të tij. 

Një tjetër diskutim i rëndësishëm gjatë aktivitetit ishte dhe propozimi për edukimin dhe trajnimin e komisionerëve zgjedhorë nga një Qendër Trajnimesh, si mënyra më efikase për ushtrimin e detyrës në zbatim korrekt të ligjit, larg ndikimeve politike. Funksionimi dhe suksesi i kësaj nisme është i lidhur me ndryshimet e nevojshme ligjore në kodin e ri zgjedhor për rekrutimin e detyrueshëm të komisionerëve nga partitë politike vetëm nga një regjistër i certifikuar nga Qendra e Trajnimeve.

Kryetarja e KQZ, znj. Lefterije Luzi, u zotua gjithashtu se do t’i ofrojë Komisionit të Reformës Zgjedhore, ekspertizën teknike jo vetëm, si rezultat i eksperiencës institucionale, por edhe atë çka u përfitua nga eksperiencat më të mira të ndara përgjatë këtij seminari, përfshirë idetë e shoqërisë civile dhe ekspertëve të huaj zgjedhorë.