E Premte, 12 Dhjetor 2014

Akademia e Studimeve Politike organizoi një trajnim dy ditor për 15 organizata jo-fitimprurëse (OJF) që punojnë në sektorin e mbrojtjes së mjedisit. Trajnimi kishte për qëllim të zhvillonte aftësitë profesionale të këtyre organizatave në drejtim të dialogut politik dhe në lidhje me aftësinë e tyre për të organizuar fushata të ndryshme. Aktiviteti është pjesë e Dialogut Publik për Përdorimin e Qëndrueshëm të Energjisë në Evropën Juglindore, i financuar nga GIZ dhe DBU.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit, ishte dhe diskutimi me pjesëmarrësit mbi dy projektligje të reja, ai i "Efiçiencës së energjisë" dhe "Performancën energjetike të ndërtesave". Z. Gjergj Simaku, drejtori i Ministrisë së Energjisë, si hartues i këtyre projektligjeve, prezantoi risitë që sjellin ky legjislacion në fushën e energjisë. Përfaqësuesit e OJF mjedisore u ftuan që të sillnin komentet e tyre mbi dy projektet.
Në këtë mënyrë, aktivistët pjesëmarrës, jo vetëm që rritën njohuritë e tyre nga trajnimi, por edhe u përfshinë drejtpërdrejt si pjesë e procesit të konsultimit. ASP do të organizoje në javët e ardhshme procesin e mbledhjes së sugjerimeve dhe komenteve të tyre dhe do ia dorëzojë ato zyrtarisht Ministrisë së Energjisë me qëllim që të pasqyrohen në versionet legjislative përfundimtare.
I njëjti grup i OJF-ve u ftua të jëtë pjesë e seancës së ardhshme parlamentare në momentin kur projektet do të paraqiten në komisionet parlamentare. Pjesëmarrësit vlerësuan modulet e trajnimit si dhe angazhimin praktik të tyre në procesin e dialogut politik dhe politikëbërjes.





