Hapet thirrja për aplikime në Shkollën e Studimeve Politike 2017

E Hene, 17 Tetor 2016



Akademia e Studimeve Politike shpall thirrjen për aplikime për pjesëmarrësit e rinj të programit "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike". Kandidatët janë të mirëpritur që të ndjekin udhëzimet e mëposhtme për të plotësuar dokumentet e nevojshme dhe dorëzuar aplikimin e tyre brenda datës 18 Nëntor 2016, ora 14.00, në adresën e Akademisë.

Programi
Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike është një program i Këshillit të Evropës, me bashkëfinancim nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, i konceptuar si një instrument i cili mund të ndihmojë liderët e rinj në sektorët politikë, administrativë, ligjorë, ekonomikë dhe socialë, me qëllim rritjen e ekspertizës profesionale, hartimin e politikave publike dhe nxitjen e pjesëmarrjes në proçeset e rëndësishme reformuese. Nëpërmjet dialogut dhe mësimit interaktiv, Shkolla do të trajtojë një gamë të gjerë të sfidave në shoqëritë tona, si edhe do të ndihmojë në krijimin e lidhjeve mes brezave të rinj të liderëve në vendet e tyre si dhe jashtë kufijve. Në përfundim të programit pjesëmarrësit do të pajisen me një çertifikatë të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe Akademia e Studimeve Politike. Programi do të ketë një kohëzgjatje nga Janari - Nëntor 2017.
 
Profili i pjesëmarrësve
Anëtarë të angazhuar të forcave politike, zyrtarë të institucioneve qendrore dhe lokale, të zgjedhurit e këshillave të Bashkive, përfaqësues nga biznesi, media, organizatat joqeveritare. Mosha e lejuar e pjesëmarrësve deri në 40 vjeç. Shkolla synon një balancim gjinor të pjesëmarrësve si dhe një përfaqësim të barabartë të minoriteteve etnike dhe fetare nëse ata plotësojnë kriteret e tjera.

Kriteret e pranimit
Kandidati që kërkon të ndjekë programin "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike" duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme:
  •     Përparësi do t’u jepet atyre që zotërojnë një diplomë universitare të lëshuar nga një universitet brenda ose jashtë vendit.
  •     Të zotërojë gjuhën angleze. Zotërimi në nivel të mirë i këtyre gjuhëve kërkohet pasi disa module do të zhvillohen në këtë gjuhë. Përbën avantazh zotërimi edhe i një gjuhe tjetër perëndimore.
  •     Të shprehë qartë motivimin e pjesëmarrjes në programin "Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike" dhe interesat e angazhimit politik apo qytetar për të zbatuar njohuritë e fituara në program.
  •     Mosha e kandidatit duhet të jetë deri në 40 vjeç.
  •     Kandidati preferohet të jetë në një pozicion aktiv publik dëshmuar në angazhime profesionale, çështje me interes shoqëror etj.
  •     Të jetë i rekomanduar nga dy persona, të cilët i njohin aftësitë akademike, profesionale, kërkimore dhe personale të kandidatit.

Dokumentacioni i pranimit:

    -Formular i plotësuar i kërkesës
    -Fotokopje të diplomës dhe kurseve të tjera formuese.
    -Dy letra rekomandimi, secila e mbyllur në zarf dhe e firmosur nga rekomanduesi
    -1 (një) fotografi me format pasaporte.

Personat e interesuar janë të lutur të shkarkojnë formularin e kërkesës dhe të letrës së rekomandimit në linket që ndodhen në fund të këtij njoftimi. Shkolla ka një tarifë regjistrimi prej 200 Euro (vetëm për të përzgjedhurit). Afati përfundimtar për dorëzimin e aplikimeve është data 18 Nëntor 2016, ora 14:00.

Dorëzimi i aplikimeve duhet të bëhet në një zarf të mbyllur pranë zyrave të Akademisë së Studimeve Politike:
Rruga "Donika Kastrioti", Nr. 3. Qendra Kotoni, Kati i katërt; Tel: 04 2272173, 04 4504788; E-mail: info@asp.al ; Internet: www.shkollapolitike.asp.al