Shkolla diskutim me kandidatin Gjergj Bojaxhi

E Premte, 12 Qershor 2015



Pjesëmarrësit dhe alumnët e “Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike” zhvilluan më 11 Qershor 2015 një diskutim të hapur me kandidatin e pavarur për bashkinë e Tiranës, z. Gjergj Bojaxhi. Debati u fokusua tek vizioni dhe programi i një kandidati që është propozuar nga qytetarët dhe përbën një risi në mënyrën se si zhvillohen fushatat elektorale. Gjithashtu, pjesëmarrësit e shkollës, të cilët vijnë nga formime dhe karriera të ndryshme profesionale, sollën sugjerimet dhe idetë e tyre mbi zhvillimin e ardhshëm të Tiranës.

Duke iu përgjigjur interesit të pjesëmarrësve, z. Bojaxhi pranoi synimin e grupimit të qytetarëve, të cilët ai përfaqëson, për të vazhduar aktivizimin e mëtejshëm edhe pas zgjedhjeve të 21 qershorit në formatin e një lëvizje të organizuar qytetare dhe politike. Ai u shpreh se do të jenë vetë qytetarët që do vendosin për të ardhmen e grupimit nëpërmjet mbështetjes që do japin në këto zgjedhje dhe aktivizimit të tyre të mëtejshëm.

Një risi pozitive është vlerësuar mënyra e organizimit të fushatës elektorale nëpërmjet transparencës së përjavshme të financimeve dhe kostove të kësaj fushate. Në përfundim të debatit, z. Bojaxhi vlerësoi nivelin e diskutimit dhe sugjerimet e dhëna nga pjesëmarrësit në takim.

Diskutimi u organizua nga Akademia e Studimeve Politike në kuadër të ciklit të debateve të alumnëve dhe pjesëmarrësve të programit të saj të “Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike”. Në muajin Qershor, i cili përkon edhe me fushatën elektorale, është menduar që alumnët të zhvillojnë takime me kandidatët kryesor të bashkisë së Tiranës, me qëllim transmetimin e ideve dhe sugjerimeve të tyre si dhe nxitjen e një fryme diskutimesh konstruktive mbi temat e aktualitetit politik dhe shoqëror të vendit.