Zhvillohet panairi i parë për Eficencën e Energjisë në Manastir

E Hene, 18 Maj 2015



Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Akademia e Studimeve Politike (ASP) organizuan panairin e parë të Eficencës së Energjisë në rajonin e Manastirit. Ky panair u zhvillua në datat 15-17 Maj 2015, në Qendrën e Kulturës së qytetit, në kuadër të projektit për bashkëpunimin ndërkufitar IPA i financuar nga Bashkimi Evropian, "Iniciativa për të forcuar dialogun publik mbi përdorimin e qëndrueshëm të energjisë”.
Më shumë se 35 kompani nga Maqedonia dhe Shqipëria ekspozuan në këtë panair produktet dhe shërbimet e ndryshme në fushën e Eficencës së Energjisë, si panelet dhe kolektorët diellore, pajisje elektroshtëpike me klasë të lartë kursimi, dyerve dhe dritareve apo materialeve të ndërtimit termoizolues si dhe programeve kompjuterike që sigurojnë një kursim më të mirë në ngrohje dhe ftohjen e ambjenteve familjare dhe publike. Vizitorët e shumtë patën mundësinë që të informohen mbi këto risi të teknologjisë ndërkohë që kompanitë nga të dyja vendet kufitare shkëmbyen kontaktet dhe krijuan mundësinë për të bashkëpunuar më tej. Të pranishme në panair ishin dhe banka, të cilat ofrojnë kredi lehtësuese për investime në këtë fushë si dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat kanë zbatuar projekte në sektorin e eficencës së energjisë.
Aktiviteti u hap zyrtarisht nga drejtoresha e CRPM, znj. Marija Risteska, drejtori i ASP, z. Erjon Tase dhe nga këshilltarja e bashkisë së qytetit, znj. Sonja Karapashovska, e cila vlerësoi si mjaft të rëndësishëm këtë aktivitet. Përgjatë ditëve të zhvillimit të panairit, u organizuan gjashtë diskutime me panele të ndryshme, të cilat u dhanë mundësinë biznesit, bankave dhe OJF-ve të ndryshme, që të ndanin ekspertizën dhe rekomandimet e tyre në fuqizimin e respektimit të masave të Eficencës së Energjisë nga autoritet qendrore dhe ato vendore në të dyja vendet tona.

Pjesë e aktiviteteve ishin dhe dy konkurse të organizuara me fotografitë dhe vizatimet më të mira në fushën e eficencës, përdorimin racional të burimeve dhe mbrojtjen e mjedisit. Këto konkurse synuan që të përfshinin në aktivitet informues dhe ndërgjegjësues edhe fëmijët e shkollave të rajonit të Manastirit dhe Kërçovës. Çmimi i parë për fotografinë iu akordua Kristijan Mitevski nga Shkupi, ndërsa vizatimi më i mirë u pikturua nga Mario Matevski, nga qyteti i Manastirit.