E Hene, 01 Qershor 2015

Kursi i tretë kombëtar i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike u zhvillua në Durrës nga datat 29-31 Maj 2015. Tematika "Shqipëria dhe integrimi evropian" u trajtua në disa këndvështrime nga lektorë dhe ekspertë të mirenjohur si kryetarja e komisionit parlamentar te Integrimit, znj. Majlinda Bregu; zv.ministri i Integrimit z. Gentian Elezi; themeluesi i Lëvizjes 'Vetëvendosja" në Kosove, z. Albin Kurti; presidenti i UET, z. Adrian Civici si dhe studiuesi dhe drejtori i Shkollës së Studimeve Politike turke, z. Hakan Altinay.
Modulet me znj. Bregu si dhe zv.ministrin z. Elezi, prezantuan rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe mekanizmin e para-aderimit, së bashku me kushtet për të hapur negociatat me Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, z. Kurti solli në këtë kurs një vështrim të ndryshëm për integrimin evropian të vendit tonë dhe Kosovës. Pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë me z.Kurti mbi qëndrimet e tij, që e shikojnë përmes një syri kritik rrugëtimin e deritanishëm drejt Evropës të elitave tona politike. Me mjaft interes u ndoq edhe një rrëfim personal i z.Kurti mbi angazhimin e tij si një qytetar aktiv dhe më pas përfshirjen ne jetën politike të Kosovës.
Prezantimi i ekspertit të ekonomisë, z. Adrian Civici, u fokusua tek nevoja për një model të ri zhvillimi ekonomik që duhet të ndjekë vendi ynë për të patur një ekonomi konkurruese me ekonomitë e vendeve të tjera të bashkimit. Tashmë ka ardhur moment që kësaj pikëpyetjeje t’i jepet një përgjigje e qartë jo vetëm nga politika, por edhe nga ekspertët dhe të gjitha grupet e interesit.
Ndërkohë, studiuesi turk i "Brookings Institution", z. Hakan Altinay, u ftua në këtë kurs për të trajtuar temën e ndërvarësisë së qytetërimeve në një realitet evropian dhe global. Në pjesën e dytë të modulit të tij, z.Altinay ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e Turqisë në rrugëtimin e saj drejt BE, por edhe zhvillimet e fundit në politikën dhe shoqërinë turke.
Vizita e z.Hakan u krye gjithashtu edhe si drejtuesi i shkollës politike turke, në kuadër të bashkëpunimit të shkollave politike të Këshillit të Evropës.





