Komisioni i reformës së Drejtësisë mirëpret rekomandimet e shkollës

E Merkure, 13 Maj 2015



Alumnët dhe pjesëmarrësit e "Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike" zhvilluan më 12 Maj 2015, pranë kryesisë së Kuvendit, një takim me kryetarin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për reformën në sistemin e drejtësisë”, z. Fatmir Xhafaj. Qëllimi i këtij takimi ishte transmetimi i ideve dhe sugjerimeve tek vendimmarrësit në lidhje me këtë reformë të rëndësishme. I ftuar në këtë diskutim ishte dhe një nga emrat elitarë të Drejtësisë, Z. Luan Omari, i cili është anëtar i Grupit Këshillimor të komisionit të reformës si dhe ekspert/vëzhgues i caktuar nga Komisioni i Venecias.
 
Pas një përshkrimi të zotit Xhafaj rreth vizionit dhe sfidave me të cilat përballet kjo reformë, pjesëmarrësit sollën sugjerimet e tyre, të cilat u protokolluan nga komisioni dhe do të bëhen pjesë e materialit analitik i pwrgatitur nw kuadwr tw takimeve me juristwt dhe grupet e tjera tw interesit. Një tjetër material i vlefshëm për komisionin, u cilësua dhe Dokumenti Rekomandues mbi Efiçiencën e Gjyqësorit, i përgatitur nga pjesëmarrësit e Shkollës të gjeneratës 2014, në kuadër të programit të shkollës. Ky dokument, me 16 rekomandime përkatëse, iu dorëzua zyrtarisht Z. Xhafaj nga drejtori i Akademisë, Z. Erjon Tase.

Gjithashtu, konstitucionalisti Omari vlerësoi diskutimin e gjerë më profesionistët dhe hapat e deritanishme të ndjekura nga komisioni parlamentar, një proces krejt i ndryshëm nga reformat e mëparshme që kanë rezultuar më pas jo efikase dhe ndonjëherë edhe të dëmshme për Drejtësinë. Prof. Omari theksoi qëndrimin e juristëve se tashmë ka ardhur koha që të kemi ndryshime në Kushtetutë për të siguruar reformën e duhur të Drejtësisë.
Në përfundim të takimi, Z. Xhafaj u kërkoi përfaqësuesve të shkollës që të jenë sërish aktive me rekomandimet e tyre në procesin e diskutimit të Dokumentit Analitik të komisionit, i cili do të shpërndahet nëpërmjet emailit tek pjesëmarrësit e takimit. 
Ky takim ishte i pari i ciklit të debateve të alumnëve dhe pjesëmarrësve të “Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike” për vitin 2015. Debatet janë një takim periodik përmujor dhe synojnë të
nxisin një frymë diskutimesh konstruktive mbi temat e aktualitetit politik dhe shoqëror të vendit. Duke sjellë në këto tryeza debati vendimmarrës të rëndësishëm dhe hartues të politikave publike, krijohet terreni i duhur për bashkëpunimin dhe transmetimin e ndërsjelltë të ideve të reja. Nga njëra anë, alumnët pjesëmarrës të këtyre takimeve do të kenë mundësinë të sjellin idetë dhe sugjerimet e tyre për hartuesit e politikave të rëndësishme, por njëkohësisht, edhe vetë ata do të shërbejnë si përçues nga lart-poshtë të këtyre ideve tek publiku i gjerë.