ASP fushate edukimi per te rinjte per zgjedhjet vendore

E Premte, 08 Maj 2015



Që prej muajit mars, Akademia e Studimeve Politike, si program i Këshillit të Evropës në Shqipëri, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, është duke zbatuar programin për edukimin zgjedhor të të rinjve për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015. Aktualisht, programi po zhvillohet në të gjithë vendin me qëllim ndërgjegjësimin e rreth 35.000 maturantëve në të gjitha shkolla e mesme.
Programi konsiston në zhvillimin e tre orëve të mësimit për maturantët mbi rëndësinë e pjesëmarrjes dhe ushtrimit të të drejtës së votës. Fushata do të finalizohet me organizmin e një ushtrimi votimi në të gjitha klasat. Nxënësit do të votojnë për dy-tre kandidatë të zgjedhur nga klasa, duke simuluar një qendër votimi, marrë rolin e votuesve, komisionerëve dhe vëzhguesve, me qëllim evidentimin e procesit real të votimit, por edhe evitimin e fenomeneve negative të delegimit të votës apo votimit familjar.
Zbatimi i programit bazohet mbi eksperiencën e fituar nga Akademia në fushatat edukuese të zgjedhjeve vendore të vitit 2001 dhe ato të përgjithshme të vitit 2013 si dhe kapacitetet dhe ekspertizën e saj.