Kursi i dyte i shkolles mbi "Lidershipin dhe angazhimin publik"

E Hene, 20 Prill 2015



Kursi i dytë kombëtar i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike u zhvillua në datat 17-19 Prill 2015 në Gjirokastër. Tematikat e këtij kursi “Lidershipi dhe angazhimi politik”, u trajtuan nga ekspertë vendas dhe të huaj, të cilët sollën eksperiencat më bashkëkohore në këto fusha.  Nëpërmjet diskutimeve të hapura pjesëmarrësit e programit patën mundësinë që të krijojnë një vizion të qartë për aspekte të rëndësishme të karrierës së tyre.

Në pjesën e  parë të kursit, znj. Ina Gjikondi, nga universiteti “George Washington”, SHBA,  trajtoi temën e lidershipit në kuadrin e një ushtrimi gjithëpërfshirës me synimin për të zhvilluar baza të reja konceptuale mbi lidershipin demokratik efektiv. Nëpërmjet ushtrimeve praktike, pjesëmarrësit punuan për përmirësimin e aftësive të tyre drejtuese me objektiv fuqizimin e kapaciteteve individuale dhe ato në ekip.  Ky trajnim 1.5 ditor është i certifikuar sipas metodologjisë së universitetit “G. Washington” në kurset që zhvillohen në SHBA për punonjësit qeveritarë.
Moduli i dytë u fokusua tek tema “Angazhimit politik dhe social” si dhe “Krijimi dhe transmetimit i një mesazhi politik”. Z. Alban Bala, ekspert i PR si dhe themelues i Institutit për Marrëdhënie Publike, transmetoi udhëzime konkrete përsa i përket teknikave të komunikimit dhe angazhimit të qytetarëve në kauza të ndryshme politike, biznesi dhe sociale.
Ndërsa moduli i tretë, u soll në formën e një bashkëbisedimi me z. Mark Marku, studies dhe lektor pranë Universitetit të Tiranës. Ky takim pati për qëllim për të ndarë me pjesëmarrësit eksperiencën e kaluar të zotit Marku si deputet pranë Partisë Demokratike, me fokus mbi “sistemin e elitave dhe karrierën në partitë shqiptare”. Eksperienca dhe angazhimi i tij personal nga bota akademike në politikë ngjalli interes tek pjesëmarrësit.
Kursi shërbeu njëherazi edhe si një mundës e mëtejshme për t’u njohur me qytetin e gurtë të Gjirokastrës, nëpërmjet vizitave të organizuara në kalanë dhe muzeun etnografik të qytetit.