Nënshkruhet marrëveshja e re mbi programin e energjisë

E Shtune, 06 Dhjetor 2014



Shtatë Shkollat e Studimeve Politike të rajonit të Ballkanit nënshkruan më 4 Dhjetor 2014 në Sarajevë një Marrëveshje të re Mirëkuptimi me GIZ dhe Forumin Baltik të Ambjentit Gjerman (BEF). Në këtë mënyrë, ky rrjet i madh organizatash zotohet për vazhdimin e mëtejshëm të ndërhyrjes për forcimin e Dialogut Publik mbi zhvillimin e qëndrueshëm të energjisë në rajonin tonë.  Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, Z. Erjon Tase firmosi  marrëveshjen në një ceremoni të posaçme, të ndjekur nga personalitete politike dhe përfaqësuesit diplomatikë në Bosnjë dhe me një pasqyrim të rëndësishëm mediatik.

Programi i ndërhyrjes për vitin 2015 në Shqipëri do të fokusohet në rritjen e rolit të organizatave të shoqërisë civile në lobimin e legjislacionit të efiçencës së energjisë si dhe energjive të rinovueshme. Nëpërmjet përfshirjes së shumë aktorëve dhe vendimmarrësve në këtë proces, synohet që jo vetëm të përafrohet legjislacioni përkatës më atë evropian, por njëherësh të krijohet edhe terreni i duhur për zbatimin e këtyre standarteve.

Akademia e Studimeve Politike, vazhdon prej katër vitesh të lehtësojë dialogun mes ligjvënësve dhe aktorëve kryesorë vendimmarrës në nivel qendror dhe atë vendor mbi çështjet e energjisë.