Diplomohet gjenerata e shkolles politike 2013-2014

E Enjte, 19 Qershor 2014



Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike(ASPS) shpërndau sot në një ceremoni zyrtare certifikatat e përfundimit të vitit akademik 2013-2014 për pjesëmarrësit e programit të saj. Të 22 studentët u diplomuan pas përfundimit me sukses të një periudhe një vjeçare studimi.

Zv. drejtoresha e Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri Znj Marie Therese Karlen shprehu kënaqësi me kontributin e dhënë nga Shkolla në sferën politike dhe atë të administrimit publik në Shqipëri. “Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike është një institucion unik për shkak se është një platform për dialog, bashkëpunim, dhe tolerance për nxitjen e një kulture të re të drejtimit dhe partneritetit përmes dhe përtej kufijve politikë”, tha Znj. Karlen. ’’Është me shumërëndësi që peisazhi politik në Shqipëri të bazohet në vlerat e tolerancës, dialogut, dhe hapjes. Ky është synimi i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, dhe ju jeni ata që do t’i përçoni këto vlera kudo që shkoni”, shtoi Zj. Karlen ndërsa I drejtohej të sapodiplomuarve.

“Ne kemi investuar tek ju, sepse besojmë se ju, secili nga ju, ka kapacitetin për të ndihmuar Shqipërinë që të shkojë përpara në shtegun drejt një demokracie të qëndrueshme, të themeluar mbi respektin për ligjin dhe të drejtat e njeriut“, tha shefi i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Z. Marco Leidekker. Ai gjithashtu përgëzoi diplomantët e rinj dhe theksoi rolin e rëndësishëm të trajnimit dhe arsimimit për udhëheqësit e ardshëm politikë me qëllim zhvillimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.
“Shqipëria ka nevojë për drejtues që duan të mësojnë më shumë, të shkëmbejnë idetë e tyre me të tjerë të ngjashëm, e aq më tepër të ndryshëm, ashtu siç kanë bërë të gjitha pjesëmarrësit e programit të shkollës sonë“, tha në fjalën e tij Drejtori i Programit të Shkollës, Z. Erjon Tase i cili gjithashtu falënderoi Bashkëpunimin Zviceran dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e tyre.

Një letër mbështetjeje nga Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani u lexua gjatë kësaj ceremonie. Presidenti shprehu vlerësimin e tij për rrugën e ndjekur deri më tash nga Shkolla Politike si dhe mbështetjen e tij dhe institucioneve të tjera shqiptare për këtë mision të rëndësishëm.

Pas fjalimeve pjesëmarrësit dëgjuan gjithashtu dy dëshmi nga studentët e diplomuar. “Gjate kesaj periudhe kemi patur mundesine qe te mesojme shume nga njohurite dhe eksperienca e profesoreve dhe personaliteteve te nderuara te cilat kane ndare me ne njohurite dhe eksperiencen e tyre, por edhe te mesojme nga njohurite dhe eksperiencat e njeri tjetrit“, tha Florenca Korbi, një nga të diplomuarat. Ngjarja u mbyll me dhënien e diplomave dhe me një pritje.