Bashkiakët thellojnë njohuritë e tyre mbi eficencën e energjisë
E Enjte, 05 Qershor 2014

Kursi i parë i trajnimit për punonjësit e bashkive maqedonase, në kuadër të projektit ndërkufitar “Inisiativa për rritjen e dialogut publik mbi përdorimin e qëndrueshëm të energjisë”, u zhvillua në hotel Molika-Pelister, nw 27 Maj 2014. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin pjesëtarë të stafit të bashkive Bitola, Kicevo, Mavrovo Rostusa, Novaci, Debarca, Demir Hisar etj. Në fokus të trajnimit ishin rritja e njohurive të pjesëmarrësve mbi tema të tilla si: plani kombëtar i masave për eficencën e energjisë, zbatimi i këtyre masave në planet rregulluese të qyteteve, përfshirja e masave të kursimit në procedurat e tenderimit të bashkive, njohuritë mbi kompanitë ESCO etj.
Eventi dy ditor u ndoq jo vetëm nga punonjësit e bashkive, të cilët mbulojnë sektorin e energjisë, por edhe nga përfaqësues të sektorëve të tjerë si përshembull drejtoritë e financës dhe buxhetit, planifikimit urban dhe mjedisor. Pjesëmarrësit vlerësuan këtë kurs si një mundësi e mirë për t'u informuar mbi standartet bashkëkohore të zhvillimit të eficencës së energjisë dhe burimeve të energjisë së rinovueshme me synim kursimin e faturave të energjisë elektrike nga buxheti i bashkive, por gjithashtu shprehën interes për t'u njohur më tej dhe praktikuar mundësitë e përfitimit të fondeve në eficencën e energjisë. Mungesa e financave është arësyeja kryesore që i pengon bashkitë për të investuar në këtë drejtim. Informacioni i marrë mbi institucionet donatore dhe kredituese vendase dhe ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, Banka Botërore, BERZH etj, ishin tepër të vlefshme.
Trajnimi i dytë i planifikuar në muajin shtator, do të synojë informimin e organizatave të shoqërisë civile, biznesit, medias dhe qytetarëve mbi investimet në fushën e eficencës së energjisë.